“Jo ju personalisht por, si subjekt politik jeni që dita e diel të jetë ditë jo pune? Ne jemi për liberalizëm dhe jemi Për.. Po Jo? Po ti nuk mundesh ashtu, si po mendon? E po tash.. “
Edhe ndikimi që ka e diela si ditë jo pune u diskutua mbrëmë në emisionin Click Plus. Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha bizneset duhet të vendosin vetë nëse do të punojnë apo jo të dielave. Ai theksoi se e diela si ditë jo pune ka ndikim negativ pasi që është reduktuar numri i të punësuarve, ndërkaq nga mbyllja e tërësishme për gjatë ditës së diel ndikohet negativisht edhe turizmi, rrjedhimisht edhe ekonominë e vendit.
“Vetëm një kompani që është anëtare te ne, nuk dua t’i përmend emrin, 150 punëtorë ka lëshuar nga puna për shkak të dielës , pasi që ka numër të madh të punëtorëve dhe për një ditë pune që ju ka mbyll biznesi është dashur t’i lirojë nga puna. Ky është një ndikim negativ në ekonomi” , tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
TV21 nga burime të veta mëson se bëhet fjalë për një kompani e cila posedon një zinxhir marketesh.
Për Elmi Azirin nga Aleanca për Shqiptarët sektori privat duhet të jetë motori lëvizës, pasi që sipas tij ata gjenerojnë të hyra me të cilat ndikohet ekonomia e vendit. Ai shton se çështja e ditës së diel duhet të rregullohet mes punëtorit dhe punëdhënësit.
“Në Maqedoni ka shumë festa, edhe me ditët e diela, informatat e mia flasin se brenda vitit 65 ditë janë ditë jo pune. 65 ditë janë 2 muaj, dhe e dini se çfarë do të thotë për biznesin dhe sektorin privat kjo? Të japësh dy muaj rroga pa punuar janë shumë”,tha Elmi Aziri nga ASH.
E sipas ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi e diela si ditë jo pune është e drejtë e secilit punëtorë, dhe kjo nuk ndikon në ekonominë e vendit.
“Nëse të punësuarit në sektorin publik i kanë të shtunat dhe të dielat të lira, edhe ata që punojnë në sektorin privat kanë të drejtë, më së paku ditën e diel ta kenë të lirë” tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Edhe analisti Visar Ademi vlerëson se e diela duhet të jetë ditë jo pune.
“Në një koncept ku edhe qeveria tregohet e papërgjegjshme në politikat e saja, edhe sektori privat kur ka mundësi ta shtrydhë fuqinë punëtore, e bën këtë. Duke filluar nga paga. Mendimi im është që të paktën atë të diel tia mundësojmë punëtorit ta kalojë i lirë me familjen e vet”, tha analisti Visa Ademi.
Ndryshe, nga Oda ekonomike kërkojnë që kompanitë vet të vendosin se duhet të punohet të dielën ose jo.






