Me pak kushte të plotësuara e shumë zyrtarë të suspenduar, brenda institucionit të Policisë së Kosovës

Sipas Policisë së Kosovës deri tek suspendimi i Amir Hoxhës erdhi për shkak të shkeljes së brendshme disiplinore.

“Vendimi mbi suspendimin në kohëzgjatje deri në tri (3) ditë, është marrë për zyrtarin policor (punonjës në Stacionin Policor Qendra Prishtinë), nën dyshimet për shkelje disiplinore të sanksionuar sipas udhëzimit të sipërshënuar.Sa sipër, policia është strukturë apolitike në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim në orientimet e tyre andaj të gjithë zyrtarët e saj duhet të përmbahen nga komente qofshin ato politike apo të llojeve të tilla të sanksionuara me udhëzimet administrative”, thuhej në deklaratën e PK-së.

Por suspendimi i zyrtarit policorë Hoxha erdhi pikërisht në ditët kur në vend po diskutohej lidhur me keqpërdorimet e bëra nga deputetët e Kuvendit të Kosovës në lidhje me karburantet.
“I acaruar” me këto veprime, Amir Hoxha kishte kërkuar pagesat e shujtave për policët dhe shtesat për punë jashtë orarit, teksa akuzoi politikanët për shpenzime enorme.

“Paratë e shujtave për Policinë, si dhe shtesat për punë jashtë orarit nuk jemi duke i marr përkundër se na takojnë me Ligj, me arsyetim të mungesës së buxhetit, por besa s’paskan pas faj se rezervarët e karburantit te deputeteve që në emër të modestisë dhe gënjeshtrave publike gjatë fushatave politike fituan ulëse dhe privilegje, qenkan me primare. Një polic mund të lihet pa bukë në kryerje të detyrës ama deputeti pa karburante kurrsesi jo. Turp ju qoftë, prapë dora jonë do ju ndëshkojë o të shkretë”, kishte shkruar Hoxha në Facebook.

Lidhur me këtë suspendim pati reagime të shumta si nga Shoqëria Civile, e përfaqësues të tjerë në vend.

E nga Inspektorati i Policisë së Kosovës u tha se ky organ heton vetëm veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës sot që nga orët e hershme të mëngjesit ka pranuar kërkesa të shumta lidhur me suspendimin e një zyrtari policor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës. Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj. Rekomandimi për suspendim nga IPK bëhet në rastet e hetimit të veprave penale dhe kur është në interes të procedurës hetimore – penale”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Kurse nga Sindikata e Policisë së Kosovës theksuan se sipas një urdhërese, policët nuk kanë të drejtë të postojnë komente politike në rrjetet sociale.

Gjatë këtyre ditëve, Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë (një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor – që të gjithë punonjës në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorin Rajonale Kufitare “Veriu”.

“IPK mbrëmë ishte njoftuar nga Policia e Kosovës rreth një incidenti i cili kishte ndodhur në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorinë Rajonale Kufitare Veriu ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (me inicialet M.R) dhe i njëjti kishte rezultuar si person i kërkuar. Personi i kërkuar dyshohet se ka vozitur veturën e tij mbrapa dhe është kthyer prapë në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur tek zyrtarët policorë të pikë kalimit kufitar. Hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhej në njoftim.

Por shumë zyrtarë të tjerë policorë për vepra të ndryshme penale janë suspenduar për disa muaj, ndoshta edhe vite.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, në 12 mujorin e vitit 2021 Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar 34 punonjës policorë të dyshuar për vepra penale, ndërsa ka dhënë 84 rekomandime për suspendim.

Gjatë këtij viti, Inspektorati Policor i Kosovës ka dërguar në prokuroritë kompetente 68 raste me kallëzime penale.

Kurse 34 raste janë përcjellë në raport të veçantë.

Në të njëjtën kohë në Inspektorat gjatë vitit 2021 janë paraqitur mbi 2 mijë ankesa ndaj zyrtarëve policorë.

Kurse në vitin 2020, Inspektorati Policor i Kosovës ka hetuar gjithsej 208 punonjës policorë të Kosovës.

“E shprehur në përqindje i bie që 2.3 % i punonjësve të PK-së janë hetuar nga IPK-ja me dyshimin se kanë kryer vepra penale. IPK vitin e kaluar ka proceduar me kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit gjithsej 82 raste”, ishte thënë në përgjigjen e IPK-së për lajmi.net.

Poashtu u theksua se në kuadër të realizimit të objektivave ligjore Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit 2020 ka realizuar gjithsej 32 arrestime të punonjësve policorë të dyshuar për vepra penale dhe gjashtë qytetarëve të dyshuar të cilët ishin të përfshirë në veprimtari penale në rastet ku janë hetuar punonjësit e PK-së.

E pavarësisht kërkesave të zëshme,zyrtarët policorë vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësorë, pa shujta ushqimore dhe pa shumë kushte të tjera të paplotësuara nga secila Qeveri që drejtoi ndër vite shtetin e Kosovës.