Mustafa: Kompania Bilfinger është treguar e pa interesuar për rindërtimin e Kosova A

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kompania gjermane Bilfinger nuk ka ofruar asgjë më shumë sesa 15-20 faqe PowrPoint dhe sipas tij kjo kompani ishte treguar e pa interesuar në rindërtimin e Kosovës A.

“Kjo është krejt e vërteta për këtë firmë dhe zhurmën që po bëhet për investimet e saj në rindërtimin e Kosova A e që po vazhdojnë edhe sot në Kuvend. Është e vërtetë se në takimin tim, si kryeministër me kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë, në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin”, ka shkruar Mustafa në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Mustafa tha se i është kërkuar kësaj kompanie konkretizimi i propozimit të tyre, kostoja e investimit, kapaciteti dhe burimet e financimit, duke shtuar se përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do t’i informojnë brenda 15 ditëve, por nuk kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm, të kabinetit të Mustafës.

“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrike në Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, ka shtuar ai.