Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bashkë me anëtarë të kryesisë së kësaj partie, ka bërë homazhe tek varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, në 16 vjetorin e vdekjes së tij.
Pas homazheve, Abdixhiku tha se Rugova ishte një njeri që ka prirë një popull të tërë nga dita e parë e aktivizimit të tij politik deri më 2006 kur kjo lidhje u shpërfaq me një masë të jashtëzakonshme të njerëzve që i dhanë lamtumirën e fundit, njofton Klankosova.tv.
“Me anëtarë të kryesisë së LDK-së, kemi ardhur për të bërë nderime dhe kujtime për liderin e LDK-së, për atin themeltar të shtetit të Kosovës, për presidentin historik Dr.Ibrahim Rugova. Një njeri që ka shënuar një epokë të tërë, që ka prirë një popull të tërë nga dita e parë e aktivzimit të tij politik deri më 21 janar të vitit 2006 kur kjo lidhje u shpërfaq me një masë të jashtëzakonshme të njerëzve që i dhanë lamtumirën e fundit në shesh dhe në Kuvend në një ditë të ftohtë”.
“Rugova mbetet një patriot i papërsëritshëm, një njeri që dha jo vetëm udhërrëfimin e kohës, por dha vizionin e së ardhmes së Kosovës, këtë vizion e kemi obligim ta vazhdojmë në partneritet me ShBA në anëtarësim në BE dhe NATO”, tha Abdixhiku.





