Tensiti serb, Novak Gjokoviq fitoi apelin kundër vendimit për t’ia refuzuar vizën në Gjykatën Federale të Qarkut të Australisë.
Kështu atij i lejohet të garojë në “Australian Open” nga 17 janari, pavarësisht se ishte i pavaksinuar kundër COVID-19.
“Jam i kënaqur dhe mirënjohës që gjykatësi më anuloi anulimin e vizës. Pavarësisht nga gjithçka që ka ndodhur, unë dua të qëndroj dhe të përpiqem të konkurroj në Australian Open. Unë mbetem i fokusuar në këtë. Fluturova këtu për të luajtur në një nga eventet më të rëndësishme që kemi përballë fansave të mrekullueshëm.” Shkroi ai në Twitter.
Numri 1 i botës në tenis, argumentoi se ai fluturoi në Australi me një “përjashtim” për vizën e tij, por kur mbërriti në vend të mërkurën atij iu mohua hyrja, shkruan Skysports, transmeton Klankosova.tv.
Të hënën, gjykatësi Anthony Kelly, anuloi anulimin e vizës dhe urdhëroi qeverinë australiane të paguante shpenzimet ligjore dhe ta lironte Gjokoviqin nga paraburgimi brenda gjysmë ore.