Omer Ajdini: Nuk më frikëson presioni që më bën regjimi LSDM-BDI përmes policisë (VIDEO)

Kryetari i Forumit rinor të Aleancës për Shqiptarët, Omer Ajdini më 20 dhjetor 2021 realizoi aktivitet para Ministrisë së Drejtësisë. Duke hedhur ngjyrë të kuqe në hyrjen e këtij institucioni, ai në emër të partisë opozitare Aleanca për Shqiptarët simbolikisht derdhi gjakun e atyre që kanë pësuar nga rastet gjyqësore. Por, për këtë aktivitet, Ajdini është ftuar që sot në ora 19:00 të paraqitet në Stacionin policor në Beko. Ajdini në një deklaratë për gazetën Lajm, thirrjen në bisedë informative nga ana e organeve policore e cilëson si presion nga ana e pushtetit, siç thotë ai për të heshtur zërin kundër padrejtësive që po ju bëhen shqiptarëve.

“Nuk ka regjim që ka funksionuar ndryshe, të gjitha regjimet funksionojnë kështu. Ata bëjnë padrejtësi, bëjnë korrupsion dhe pastaj ngrihen në këmbë që ti heshtin dhe të frikësojnë çdo kënd i cili proteston ose flet kundër atyre padrejtësive. Kështu ka funksionuar regjimi i Millosheviqit, kështu ka funksionuar regjimi Gruevski-BDI dikur, sot kështu po funksionon regjimi LSDM-BDI. Unë në fakt nuk edi për çka më kanë ftuar atje, por supozoj që duhet të jetë për protestën tonë paqësore, demokratike që e bëmë para Ministrisë së Drejtësisë javën e kaluar. Ku protestuam në formë simbolike kundër lirimit të Boban Iliçit, kundër lirimit të kriminelëve të cilët janë kërcënim për fëmijët tanë. Supozoj që biseda informative duhet të jetë për aktin e protestës, i cili dukshëm dha rezultatet e tij pozitive, sepse tërheqja e kërkesës për falje të atyre kriminelëve tregoi se ne kemi pasur të drejtë, që ne kemi qenë në anën e drejtësisë. Unë mendoj që kjo është tentativë për ta frikësur, për ta shantazhuar rininë shqiptare këtu tek ne, që mos të ngrihet në këmbë kundër padrejtësive që po na bëhen për çdo ditë, pra përmes meje ti frikësojnë të gjithë. Por duhet ta dinë që rinia shqiptare këtu asnjëherë nuk ju ka frikësur shtetit dhe asnjëherë nuk do të ju frikësohet regjimeve si ato të kaluarat ashtu edhe ata të tanishmet”, tha Omer Ajdini, kryetar i FRASH./Gazeta LAJM