Marrëveshja për qeverinë e re gjermane mban titullin “Të guxojmë më shumë përparim.” Titulli të kujton sloganin e kancelarit Willy Brandt në vitin 1969 “Të guxojmë më shumë demokraci”.
Willy Brandt-it i njihet merita që inicioi një transformim (socialdemokrat) të politikës sociale dhe arsimit në Gjermani, si dhe të politikës së jashtme të Gjermanisë. Qeveria e re trepartiake synon për Gjermaninë „politikën e ndikimeve të mëdha”, u shpreh Kancelari i ardhshëm, socialdemokrati Olaf Scholz. Marrëveshja karakterizohet nga fryma e ndryshimit, “për të kapërcyer statuskuonë”, për një “ekonomi tregu sociale-ekologjike” në Gjermani.
Megjithëse në koalicion janë dy parti të majta, Socialdemokratët dhe Të Gjelbrit, dhe një parti konservatore, liberalët e FDP-së, marrëveshja është e balancuar. Në të janë të ndjeshme qëndrime të përbashkëta liberale dhe sociale: do të legalizohet (me kufizime) një drogë si kanabisi; do të lehtësohet integrimi i të huajve: nënshtetësia gjermane do të merret më herët, diplomat e huaja do të njihen më lehtë, emigrimi i të kualifikuarve në Gjermani do të zgjerohet.
Në qendër të marrëveshjes për qeverinë e re janë klima dhe modernizimi i Gjermanisë. Në raport me botën, marrëveshja e qeverisë premton thekse të reja në politikën e jashtme gjermane.
Marrëveshjet apo kontratat për qeverinë në Gjermani janë deklarata synimesh, pa fuqi ligjore. Ndaj testi i vërtetë edhe për synimet e kësaj marrëveshjeje do të jenë sfidat e qeverisjes. Njëkohësisht, qeveritë gjermane kanë një histori të mirë të respektimit të marrëveshjeve qeveritare: i kanë respektuar ato në 80 përqind të përmbajtjeve.
Klima
Marrëveshja premton që ndaj klimës të arrihet neutraliteti deri në vitin 2045. Deri në vitin 2030, tetë vjet më herët nga plani aktual, synohet të mbyllet termocentrali i fundit me qymyr në Gjermani. Deri në këtë vit synohet që Gjermania të sigurojë 80% të nevojave për energji nga energjitë e ripërtëritshme. Do të krijohet një superministri për Ekonominë dhe Klimën, që do të drejtohet nga Të Gjelbrit.
Ekonomia
Në ekonomi qeveria shpall si parime të politikës financiare “financat solide dhe përdorimin kursimtar të parave të taksapaguesve”. Shumë ekonomistë në Gjermani janë shprehur të lehtësuar që marrëveshja tregon se “politika financiare ekspansive nuk do të vijë”.
Frika e ekonomisë me fitoren e partive të majta në zgjedhje ishte se për të pasur fonde për investime, do të merreshin borxhe pa kriter. Por tani frena e kufirit të borxheve, e sanksionuar në kushtetutën gjermane, nuk do të preket.
Njëkohësisht, marrja e borxheve është bërë më e lehtë. Për investimet publike dhe private janë gjetur opsione “pragmatike”: do të ketë një rol më të madh Banka Gjermane për Zhvillimin, banka shtetërore e investimeve; peshë më të madhe do të fitojnë partneritetet publike-private.
Taksa për pasurinë, një kërkesë e socialdemokratëve dhe Të Gjelbërve në fushatën elektorale nuk do të vijë. Ky nuk është thjesht një koncesion ndaj liberalëve të FDP-së, por është pranim i realitetit, përballë fitores jo të thellë të të majtëve ndaj konservatorëve në zgjedhjet parlamentare.