“Alternativa” mes qendrimeve PRO dhe KUNDËR hyrjes në Qeveri (Video)

Brenda partisë “Alternativa” ka qendrime PRO dhe KUNDËR kyçjes së kësaj partie në Qeveri. Këtë e konfirmon në një pronocim për gazetën LAJM, deputeti Skender Rexhepi – Zejd. Ai thotë se gjithçka do të bëhet me e qartë pas takimit që pritet të mbahet nesër mes kryeministrit Zoran Zaev dhe kryetarit të “Alternativës”, Afrim Gashi.

“Alternativa” është një subjekt politikë kompakt dhe gjithsesi se gjithë deputetët do të jenë në një vijë me kryesinë dhe organet partiake, pasiqë pjesë e deputetëve është edhe vetë kryetari i “Alternativës”. Ka dallime në kuadër të partisë edhe për edhe kundër, megjithatë të gjitha qendrimet janë në shërbim të “Alternativës” , interesit të qytetarëve dhe të shqiptarëve. Asnjëri nuk është me pretendime për të dëmtuar proceset qoftë brenda partisë, qoftë jashtë saj, prandaj mendoj se këto dallime do të vijnë duke u zbutur me kalimin e kohës, sepse ka sinjale të tilla. Pas takimit të nesërm apo të ditëve në vijim mes kryetarit të “Alternativës” me kryeministrin gjërat do të dihen pak më qartë”, tha Rexhepi.

Ditë më parë, anëtari i kryesisë qendrore të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, në një prononcim për gazetën LAJM tha se partia që përfaqëson ai nuk ka as interes e as ofertë për tu bërë pjesë e Qeverisë së Zaevit.

“Alternativa nuk ka as interes, as ftesë, as kërkesë që të bëhet pjesë e Qeverisë. Në fakt nuk ka as ofertë që të bëhet pjesë e Qeverisë. Ne jemi parti opozitare dhe vazhdojmë të mbetemi të tillë. Se cfarë do të sjellë e ardhmja nuk mund të parashikoj”, tha Zeqirija Ibrahimi nga “Alternativa”.

Alternativa ka 4 deputetë në Kuvend, të cilët nëse i bashkohen shumicës, shumica arrin në 64 deputetë, nëse këtu llogaritet edhe deputeti Kastriot Rexhepi, i cili javën që lamë pas, nuk votoi për rrëzimin e Qeverisë.