Arrestohet në Serbi veterani i UÇK-së, kjo është arsyeja

Pjesëtarë të MPB-së, Drejtorisë së Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Policinë e Suboticës, me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Suboticë, arrestuan EL (45).

Kjo për shkak të dyshimit se ka kryer veprën e prodhimit të paautorizuar dhe vendosjes në treg të lëndëve narkotike.

Ai akuzohet se në fund të gushtit të këtij viti, së bashku me D. I. (35), i cili ishte arrestuar më herët, ka blerë në Kosovë e Metohi dhe ka kontrabanduar në Vranjë 50 pako me rreth 50 kilogramë marijuanë, shkruan Kurir.rs, përcjell “Bota sot”.

D. I. akuzohet se më pas e ka transportuar lëndën narkotike me furgon me qira për në Suboticë, ku edhe është arrestuar.

Gjatë kontrollimit të shtëpisë dhe objekteve të tjera të përdorura nga i dyshuari E.L. janë gjetur tre vetura, katër telefona celularë, një sasi e madhe parash në valuta të ndryshme, si dhe një letërnjoftim e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së dhe një album me fotografitë e të dyshuarit në Uniformë e UÇK-së.

E. L. i është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë dhe me kallëzim penal do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Suboticë.