Portugezi mund të shkarkohet nga posti i menaxherit të Spurs vetëm katër muaj pasi u bë menaxher i klubit, i cili nënshkroi kontratë dy-vjeçare në fund të qershorit.
Gjërat nuk kanë shkuar mirë siç Tottenham apo Nuno i kanë planifikuar teksa e shohin klubin në një gjendje jo të mirë në rezultate dhe renditje tabelare.
Pas 10 xhirove të para këtë sezon, Tottenham ka një bilanc prej pesë fitoreve e pesë barazimeve, duke qëndruar aktualisht në pozitën e tetë në tabelë me 15 pikë të mbledhura.
Spurs kanë shënuar një numër tejet të ulët të golave – nëntë, me vetëm Norwich që kanë realizuar më pak në këtë kampionat deri më tani.
Në fakt, londinezët kanë regjistruar startin më të dobët të efikasistetit të golave pas 10 xhirove të para të një sezoni në Premier Ligë, që nga sezoni 2013/14 kur kishin shënuar gjithashtu nëntë.
Krahas gjithë këtyre statistikave negative që e kanë përcjellur skuadrën londineze deri tani, klubi po e konsideron seriozisht shkarkimin e Nunos, duke i shtuar disfatat nga Arsenali dhe së fundit edhe Man Utd.
Gazetari i famshëm italian, Fabrizio Romano ka theksuar se është duke u mbajtur një takim i ri brenda klubit për të marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e Nunos, gjersa klubi është duke menduar për kandidatët e mundshëm për t’i zëvendësuar.
“Takimi i ri i brendshëm po vazhdon në Tottenham për të marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e Nuno Espirito Santo. Ai është ende duke pritur – por bordi i Spurs tashmë mendon për kandidatët e mundshëm për të zëvendësuar Nuno që dje. Daniel Levy dhe Fabio Paratici janë duke punuar për të”, ka raportuar Romano në Twitter.
Një nga emrat e përfolur për të marrë shërbimin e Spurs është tekniku italian, Antonio Conte i cili ishte në bisedime me klubin londinez gjatë verës, mirëpo londinezët nuk u dakorduan me disa nga kushtet që kishte kërkuar italiani, kësisoj ata shikuan për opsione të tjera, dhe Nuno më pas ishte i përzgjedhuri.
Gazetari tjetër i njohur italian, Gianluca Di Marzio ka theksuar se Conte do të ishte i gatshëm të pranonte punën e Spurs, por se do t’i ketë kërkesat e tij të veçanta, ngjashëm siç i kishte gjatë verës, por që tani klubi londinez mund të pajtohet dhe të i’a plotësoj kërkesat italianit vetëm për të marrë menaxhimin e skuadrës.