MPB-ja ka njoftuar e sot rreth orës 14.00, zyrtarë të policisë së Shkupit kanë privuar nga liria G.Z (59) dhe A.S (63) nga Shkupi të cilët në lagjen “Dame Gruev” të Shkupit kanë dhënë para për vota në zgjedhjet lokale respketivisht kanë kryer vepër penale sipas Nenit 162 të Kodit Penal “blerje votash”.
Personave që u janë dhënë para në këmbim të votës u kanë marrë kopje të metërnjoftimeve, kurse gjatë privimit nga liria tek ata janë gjetur para dhe gjësende tjera. Policia thotë se për këtë ngjarje është njoftuar Prokurori Publik dhe pas dokumentimit të rastit do të dorëzohet kallëzim adekuat.
Nëpër disa portale dhe nëpër rrjete sociale qarkullojnë fotografi dhe pamje ku pretendohet se bëhet blerja e votës.
Ndërkohë, në buletinin e policisë edhe gjatë ditës së djeshme janë shënuar raste të blerjes së votave në pjesën lindore të vendit. Një rast është shënuar në Koçanë kurse tjetri në Makedonska Kamenicë.
Raste të blerjes së votave pati edhe në rrethin e parë të zgjedhjeve, por deri më tani, nuk ka njoftime nga Prokuroria Publike për epilogun e veprave të zbuluara penale që lidhen me zgjedhjet./KlanMacedonia/