“Për shkak të uljes së interesimit të qytetarëve për t’u vaksinuar, pika më e madhe për vaksinim këtu në Shkup, salla “Boris Trajkovski”, prej mbrëmë është jashtë funksionit. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se po të jetë e nevojshme e njëjta përsëri do të rihapet”, Valmira Zendeli – gazetare TV21.
Nga Shëndetësia, shpjegojnë se arsye tjetër e mbylljes së sallës është se hapësirat janë të nevojshme për një aktivitet tjetër. Sipas raportit të fundit të Institutit për Shëndet Publik, me dozën e parë të vaksinës anticovid, më së shumit janë vaksinuar qytetarët e Ohrit, Kavadarit, Gjevgjelisë dhe Negotinës.
“Më shumë të vaksinuar me dozën e parë të vaksinës ka në qytetin e Ohrit, Kavadar, Gjevgjeli dhe Negotinë. Përfshirje me të madhe të vaksinimit ka në qytet Manastir, Demir Hisar, Resnjë, Veles, Berovë, Pehçevë, Prilep, Krushevë, Vallandovë, Shtip dhe Probishtip. Përfshirje me rreth 40-50% të vaksinimit ka në qytetet Kërçovë, Shën Nikollë, Koçan, Dellçevë, Kriva Pallankë, Strugë, Makedonski Brod, Shkup dhe Tetovë. Më pak të vaksinuar ka në qytetet Vinicë, Kumanovë, Kratovë, Dibër, Strumicë, Gostivar dhe Radovish”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në territorin e Shkupit vaksinimi kryhet në 7 poliklinika. Në poliklinikën “Bukuresht”, “Jane Sandanski” dhe Çair punohet në dy ndërrime, ndërsa në poliklinikat në “Gjorce Petrov”, Draçevë, Çento dhe Shuto Orizare punohet në një ndërrim.
Vaksinimi masiv në sallën “Boris Trajkovski” filloi në muajin prill, ndërkaq pika u mbyll në fund të muajit korrik. Me rritjen e numrit të qytetarëve që donin të vaksinoheshin dhe për të ulur trysninë ndaj pikave për vaksinim nëpër shtëpitë e shëndetit, salla “Boris Trajkovski” u rihap sërish në muajin gusht./TV21