Ohër dhe Strugë: Stërvitje e NATO-s për mbrojtje dhe shpëtim në mjedise urbane

Gjatë tri ditëve të kaluara, në Ohër dhe Strugë, mbahet stërvitja e madhe e NATO-s për shpëtimin dhe mbrojtjen në mjedise urbane. Stërvitja “Maqedonia e Veriut 2021” organizohet nga Qendra Euroatlantike e NATO-s për koordinimin e përgjigjes gjatë katastrofave (EADRCC) dhe Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Është kjo stërvitja e parë civile e NATO-s në RMV, e cila për shkak të situatës me pandeminë e COVID-19, zhvillohet në terren dhe në shtab.

Skenari për stërvitjen, siç përcjell KlanM, bazohet në operacione urbane të kërkimit dhe shpëtimit, kërkime malore dhe shpëtime, përgjigje ndaj përmbytjeve, incidenteve kimike, biologjike ose radiologjike dhe fushata kundër lajmeve të rrejshme.

“Bëhet fjalë për aktivitete stërvitore të përmasave të mëdha, ngjarje që involvon më shumë se 700 pjesëmarrës nga vendi dhe jashtë, ku përveç RMV-së marrin pjesë 27 vende dhe është stërvitja e parë e NATO-s në vendin tonë e këtyre përmasave. Kyçja në stërvitjen e NATO-s paraqet një mundësi të mirë për mbështetje të autoriteteve kombëtare dhe ndërtimin e kapaciteteve përmes përmirësimit të gatishmërisë gjatë katastrofave natyrore dhe katastrofave të shkaktuara nga njeriu, përmirësimi i planifikimit, parandalimi dhe përgjigja, me çka do të përforcohen kapacitetet kombëtare për t`u përgjigjur situatave emergjente” – thonë nga QMK-ja.

Në kuadër të stërvitjes do të organizohet simpozium dyditor shkencor, me pjesëmarrje të përfaqësuesve të lartë të NATO-s dhe vendeve anëtare si dhe organizatave ndërkombëtare joqeveritare. /KlanMacedonia