Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka pyetur kryeministrin Albin Kurti se pse ka marrë vendim sot për reciprocitetin për tabelat e veturave me shtetin e Serbisë.
Në seancën e Kuvendit, Gashi tha se paraprakisht është dashur të ketë fushatë vetëdijesimi për zbatimin e kësaj mase.
Gashi: Pse sot e ndërmorët këtë masë dhe pse me njësi speciale
“Pse sot zotëri kryeministër, pse me njësi speciale. A ka pas ndonjë fushatë vetëdijesimi a është dashur me ditë, ju përgëzojë për lumturinë të nderuar deputetë, por qytetarët e këtij vendi qofshin të komuniteteve duhet të dinë pse po merret një vendim dhe cilat janë pasojat. Por, show që bëri këtë kryeministri është thjesht një show që është bërë edhe nga ish kryeministri Thaçi”, tha ai.
***
Kurti: Pyetni Sylejman Selimin e Rrustem Mustafën, se a kam qenë unë në UÇK
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Abelard Tahirit, i cili e kritikoi për qëndrimet e Qeverisë së tij për hapjen e arkivave të UÇK-së.
“Deklarata e UÇK-së është lënë jashtë Kushtetutës së Pavarësisë së Kosovës. Ju mund të keni dëshirë që të kem komplekse nga kjo punë, por për besë nuk kam. Mos u fshihni pas Preshevës që të kërkoni prej meje mos të sillem si shtet. Në Kurti 1 kemi ndarë fond 500 mijë euro. Çfarëdo dëmi që do të kenë nga zbatimi i masave qytetarët atje, ne do të gjejmë mënyra dhe mekanizma për t’i korrigjuar ato. Mos u brengosni as për këtë gjë”.
Tutje Kurti i është drejtuar deputetëve të PDK-së duke thënë që “nuk mund të përçani popullin i cili ka votuar më 14 shkurt”.
“S’mund ta përçani popullin me kinse unë jam kundër UÇK-së. Se a kam qenë UÇK pyete Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën – dy komandantat të tregojnë. Ama, pushoni me këtë idenë e përçarjes dhe ndarjes. Dëshirën e juaj mos ma përshkruani si fakt mua”, u shpreh Kurti.
Image
Vitia: Variantin Delta e ndalëm për dy muaj, në ShBA po vazhdon tash e katër muaj
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur për procesin e vaksinimit në vend.
Vitia para deputetëve tha se falë masave të Qeverisë Kurti, varianti Delta krahasuar me shtet tjera, po shkon drejtë përmirësimit.
Madje ai bëri krahasim me ShBA-në, duke thënë se në këtë shtet ky variant po vazhdon ende kurse në Kosovë është ndalë për dy muaj.
“Ka qenë një muaj e gjysmë shumë i vështirë, ku i ngushëlloj familjet e viktimave. Procesi i vaksinimit po shkon shumë mirë, ku procesi në Kosovë. Derën e hapur e keni në ministri sepse ky virus ka agresivitet shumë më te madh. Ka shumë deputetë që janë munduar ta dëmtojnë procesin dhe nuk kanë ofruar bashkëpunim”, tha ai.
“Për herë re parë kemi remdesivirin që kanë qenë mungesë që nga fillimi i pandemisë. Fal masave po arrijmë që ta kalojmë variantin Delta, më shpejtë se dy muaj. Indisë më shumë se katër muajve, ShBA më shumë se tre muaj dhe po vazhdon akoma, njëjtë edhe në Mal të Zi”.
“Qeveria Kurti po vazhdon ta ulë numrin e këtij varianti. Qeveria paraprake nuk është treguar e aftë, ku si pasojë e masave nuk ka arritur ti ulë numrat, ku nuk është ndërmarrë asnjë veprim e duke bërë që të rriten numrat e vdekjeve”, tha Vitia.
***
Kryeministri Kurti: Në nëntor do të shkoj në vizitë zyrtare në ShBA
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se në muajin nëntor do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për vizitë zyrtare.
Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve në seancën e sotme të Kuvendit se pse nuk ka shkuar në Asamblenë e Përgjithshme në OKB, kreu qeveritar tha se nuk ka pasur synim të shkojë atje, rrjedhimisht edhe s’ka aplikuar për vizë.
Kurti: Në nëntor do të shkojë në ShBA
“Nuk kam aplikuar për vizë në ShBA, pasi nuk kam pasur synim që të shkojë në këtë, mirëpo në ShBA do të udhëtojë në ShBA. Pra bëhet fjalë për koordinim të brendshëm që është i duhur dhe i mirë për shtetin tonë. E sa për miqësinë me presidentin Biden, ju e dini se unë jam kryetari i vetëm i një subjekti politik që e ka mbështetur paraprakisht dhe publikisht ndërsa ju të tjerët keni shikuar se kush po fiton. E unë dola publikisht edhe ju bëra thirrje shqiptaro amerikanëve dhe thash votoni presidentin Biden”, tha ai.
***
Tahiri: Hapja e arkivave skenar i keq i kryeministrit Kurti
Shefi grupit parlamentar të PDK-së, Ablerat Tahiri ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për qëndrimet e Qeverisë së tij për hapjen e arkivave të UÇK-së.
Deputeti Tahiri tha se kryeministri i Republikës në dialog duhet shkohet për njohje dhe ulëse në OKB dhe kurrsesi nuk mund të shkoni për ta redaktuar të vërtetën e historisë tonë si popull dhe si shtet.
Tahiri: Skenar i keq hapja e arkivave
“Ndonëse qeveria jonë është e pavëmendshme dhe e pavedijshme, një skenar I tillë, dhe një agjendë kudër të vërtetesës së luftës sonë, është evidente dhe sa herë e më shumë aktive. Natyrisht se fjala është për pretendimet rreth arkivave të UÇK-së. Rreth kësaj teme nuk kam çka të flas, sepse kur nuk ka subjekt, nuk ka as trajtim. Por, megjithatë dua të flas për agjendën sit ë tillë. Të nderuar kolegë ju kujtohet dekorata e kryeministrit pas darkës me Borrelin, ku tha që Ballkani perëndimor duhet të çlirohet nga kriminelët e luftës”, tha ai.
***
Haradinaj ka një pyetje për Kurtin
Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Hardinaj ka vazhduar pyetjet për kryeministrin, Albin Kurti, lidhur me një zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ai ka thënë se në ish qeverisjen e tij, tre ish deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, tashmë ministri gjithmonë kanë pyetur për Nexhat Krasniqin, apo siç thotë “babën e tenderëve”, derisa sot heshtin. Hardinaj ka pyetur se a ka ndryshuar ai, apo kryeministri dhe ministrat janë bërë më të këqij se i njëjti.
Haradinaj: Kryeministër dhe tre ministrat e juaj jeni më të këqij se Nexhati
“A e dini ju për Nexhat Krasniqin që me kanë pyet tre ministrat e juaj, a është ende kryekriminel dhe baba i tenderëve, apo është i mirë ai, apo ju kryeministër dhe tre ministrat e juaj jeni më të këqij se Nexhati”, tha ai.
Krahas kësaj, ai i bëri pyetje edhe dy deputetëve të LVV-së për qëndrimin e ministrit Liburn Aliu në Beograd.
Haradinaj: Qysh ka kaluar Liburni në Beograd, çka është puna e këtij korridorit të hekurudhave
“Edhe një pyetje tjetër, por këtë e kemi për dy shokë të mi, Fatmir Humollin dhe Gani Krasniqin. Qysh ka kaluar Liburni në Beograd, çka është puna e këtij korridorit të hekurudhave si diçka e re”, shtoi Haradinaj.
***
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për vendimin e vendosjes së tabelave të përkohshme RKS për të gjithë ata që hyjnë në Kosovë me tabela tjera, e sidomos nga Serbia.
“Nga data 15 shtator Republika e Kosovës ka ndërprerë dhënien e tabelave KS. Pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë për marrëveshjen e lëvizjes së lirë, MPB sot ndërmori veprimet e nevojshme për konfiskimin e të gjitha tabelave ilegale brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se pavarësisht se çfarë nacionaliteti janë poseduesit e automjeteve me tabela jovalide ato po konfiskohen .
“Në të gjitha pikat kufitare të Kosovës automjetet që mbajnë tabela të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës do të pajisen me tabela të përkohshme . Një marrëveshje teknike mes Kosovës dhe Serbisë u pat arritur 2011 për lëvizje të lirë, që nga ajo kohë Kosova ka zbatuar të gjitha detyrimet”, tha kryeministri Kurti.
Ai shtoi se veprimet e ndërmarra sot nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve serb apo të provokojnë ndonjë destabilizim.
“Si kryeministër ju siguroj se veprimet e ndërmarra sot nga organet kompetente për zbatimin e kësaj nuk janë drejtuar kundër qytetarëve serb, nuk kanë për qëllim të cenojnë lëvizjen e lirë qytetarëve serb apo të provokojnë çfarë do destabilizimi. Pres nga të gjithë ta kuptojnë drejt se sot nuk po ndodh asgjë e jashtëligjshme, sot po fillon zbatimi i një marrëveshje me të cilën është pajtuar edhe Serbia”, tha Kurti.
Ai kërkoi nga qytetarët serb të vazhdojnë ritmin e përditshmërisë pa shqetësime e brenga se po ju cenohet ndonjë e drejtë.
Zemaj-Kurtit: Kryeministër shkarkoje ministrin Vitia dhe kërko falje
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti ta shkarkojë ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ish-ministri i Shëndetësisë në seancën e parë të Kuvendit në sesionin vjeshtor, tha se ministri Vitia ia ka ikur përgjegjësisë dhe është treguar skandaloz në menaxhimin e pandemisë COVID 19.
Zemaj: Kryeministër shkarkoje ministrin Vitia dhe kërko falje
“Njerëzit e papërgjegjshëm nuk mund ta pranojnë përgjegjësinë, ky ministër i shëndetësisë u tregua shumë i papërgjegjshëm, nuk e pranoi përgjegjësinë, por e pranoi gabimin. E gabimi kushton, këtë gabim do të duhej ta merrte për bazë edhe vetë kryeministri me shkarkimin e këtij ministri të shëndetësisë që u tregua skandaloz në rajon dhe mbarë Evropën. E bëri Kosovën vendin më të tmerrshëm në ranglistat botërore në listat e zeza duke shndërruar Kosovën me 40 minutësh të vdekjeve dhe pa asnjë fije dyshimi u zhduk në javën kryesore dhe të rëndë ku kishim 36 vdekje të qytetarëve…. i nderuar kryeministër ky ministër është treguar i papërgjegjshëm dhe duhet ta shkarkoni dhe të kërkoni falje publike neve dhe gjithë familjarëve që kanë humbur jetën nga masat dhe mos mbikëqyrja e masave”, tha ai.
***
Krasniqi me akuza ndaj Qeverisë
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e parë vjeshtore të Kuvendit të Kosovës sërish ka ftuar kryeministrin Albin Kurti dhe udhëheqësit e opozitës që të bëhen në një front të përbashkët për menaxhimin e pandemisë e cila po vazhdon të marrë jetën e qindra kosovarëve gjatë një jave.
Krasniqi tha se kryeministri Kurti nuk iu përgjigj fare në letrën e dërguar javë më parë përmes së cilës i ka ofruar bashkëpunim në menaxhimin e tragjedisë me pandeminë.
Ai tha se përballë këtij refuzimi e mos reflektimi në këto rrethana, gjërave duhet t’iu vëmë emrin e tyre përkatës.
“Për punë të mbara nuk mjaftojnë uratat, por kërkohet angazhim, reflektim dhe përgjegjësi. Pikërisht këto cilësi që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo Qeveri. Një Qeveri e mirë do ta kishte shtruar këtë çështje në rrafsh të bashkëpunimit e jo në çështje politike. Unë i ofrova bashkëpunim Kurtit për gjendjen e rënduar që kaluam për dy muaj. Por pashë një refuzim. Nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë. Përballë këtij refuzimi, gjërave duhet t’ua vejmë emrin. Keq-menaxhimi i Qeverisë për gjendjen e rënduar që kaluam, keqadministrim i kësaj Qeverie që jemi gati të fundit në vaksinim. Qeveria i hapi dasmat e ahenget për të na mbyllur shkollat e çerdhet”, deklaroi Krasniqi.
Deklarata e plotë e Krasniqit në Kuvend:
Meqenëse është seanca e parë e sesionit vjeshtor të Kuvendit, që në fillim dëshiroj t’ju uroj punë të mbarë të gjithëve, në agjendën që kemi para vetës si deputetë.
Por, meqë është seanca e parë pas një periudhe pushimi që ishte periudhe tragjike për jetën e qindra qytetarëve tanë në ballafaqim me pandeminë, për çka ju shpreh ngushellime të gjitha familjeve që humbën më të dashurit e tyre, nuk mund ta lë pa e thënë se për punë të mbara, nuk mjaftojnë uratat, as fjalët dhe as dëshirat.
Për punë të mbara, kërkohet reflektim, angazhim dhe ballafaqim me përgjegjësitë që kemi gjithsecili prej nesh.
Reflektim, angazhim e përgjegjësi, pikërisht këto anë, që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo qeveri gjatë kësaj periudhe.
Çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme, një ballafaqim të tillë me rrethanat pandemike në të cilat gjendemi sot, do të duhej ta kishte shtruar në një rrafsh social e kombëtar, e kurrsesi jo në atë politik.
Në një rrafsh të bashkëpunimit, e jo të refuzimit.
Sepse pasojat tragjike dhe rrethanat e rënduara për qytetarët nga pandemia, nuk janë çështje politike. Janë çështje publike dhe emergjente.
Pushteti mund t’i takojë dikujt në një kohë të caktuar, por publikja na takon të gjithëve në çdo kohë, prandaj edhe kemi përgjegjësi për të, e rreth saj.
Pikërisht për shkak të kësaj përgjegjësie ndaj gjendjes së rëndë që kishim gjatë dy muajve të fundit, unë ju drejtova me një letër kryeministrit Kurti, për t’i ofruar bashkëpunimin tim dhe të PDK-së, madje duke ftuar edhe partitë tjera opozitare,
që të ulemi së bashku e të gjejmë mundësi dhe alternativë, për një përgjigje shumë më efikase ndaj rrethanave të rënduara.
Megjithëse isha në fille të drejtimit të Partisë Demokratike të Kosovës, nuk doja të ndiqja shembullin që e ka vendosur vetë z. Kurti, duke krijuar ndasi politike për shkak të qëndrimeve partiake edhe për tema të rëndësisë nacionale, sepse një model të tillë e kemi parë dhe e kanë parë të gjithë qytetarët e Kosovës.
Një model i tillë, prodhon kriza, por nuk zgjidhë kurrfarë krize.
Prandaj përballë kësaj nevoje emergjente, unë pashë në drejtim të Kosovës, e jo vetëm në drejtim të partisë që e drejtoj.
Sepse, Kosova është emëruesi i përbashkët i të gjithë neve.
Prandaj, kam besuar e besoj se përballë kësaj gjendjeje, do të duhej të ishim një front i përbashkët përtej politik.
Por, kryeministri Kurti refuzoi një angazhim të tillë të përbashkët. Nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë.
Ndërsa, numri i vdekjeve, rritej e bëhej treshifror çdo javë.
Përballë këtij refuzimi e mos reflektimi në këto rrethana, gjërave duhet t’iu vëmë emrin e tyre përkatës.
Ishte keq menaxhimi i qeverisë, shkaku që i prodhoi këto pasoja.
Ishte keqadministrimi i qeverisë, shkaku që jemi ndër të fundit në Europë në procesin e vaksinimit, ndërsa hedhim vaksina që iu kalon afati pa i administruar.
Ishte keq planifikimi i kësaj qeverie, që ka lënë qindra profesionistë shëndetësorë të pa angazhuar e të pambështetur në ditët më të ngarkuara të punës së tyre.
Dhe pa asnjë dyshim, ishte leximi i gabuar i krejt rrethanave paralajmëruese rreth rrezikut të variantit Delta, pikërisht në kohën kur kjo qeveri, e kishte lëshuar përtokë obligimin për të menaxhuar rrezikun e përhapjes së këtij varianti.
Sepse, qeveria i hapi në verë dasmat e ahengjet, për të na i mbyllur në vjeshtë shkollat dhe çerdhet.
Pra, përgjegjësia për këtë gjëndje, i takon vetëm kësaj qeverie.
Por, edhe pse ne nuk do t’i mbyllim asnjëherë sytë përballë dështimeve që kanë shkaktuar këtë gjendje, nuk do të bëhemi kurrë oportunistë politikë kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve.
Prandaj, unë besoj edhe sot se duhet një front i përbashkët për t’ua lehtësuar qytetarëve tanë ballafaqimin me pandeminë COVID19.
Sepse, ndonëse fatmirësisht ka filluar të bie numri i rasteve, nuk ka garanci se gjendja nuk do të përkeqësohet më vonë.
Dhe kur jemi tek qytetarët, ata me 17 tetor, do të vendosin për qeveritë e tyre lokale. Është e domosdoshme që ata të kenë mundësi të zgjedhin e të përcaktohen mirëfilli për kandidatët në të cilët besojnë se iu përgjigjen nevojave të tyre.
Është mirë që fushata t’ju lihet kandidatëve, atyre që iu takon përgjegjësia e llogaridhënia para qytetareve të komunave të Republikës së Kosovës.
***
Kusari-Lila: E domosdoshme dhe e pa alternativë për tejkalimin e krizës mbetet vaksinimi
Kuvendi i Kosovës e ka nisur seancën e parë të sesionit vjeshtor.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë që ishte një periudhë e rënduar me numra të lartë si rrjedhojë e prezencës së virusit të modifikuar Delta.
Tutje Kusari Lila theksoi që vaksinimi është e vetmja alternativë për tejkalimin e krizës.
“I gjithë gëzimi i familjeve në ahengje, fatkeqësisht për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve tanë doli të jetë me pasoja për jetën e tyre. Pas një periudhe njëmujore kur e mbajtëm seancën e fundit, apeluam për vaksinim te qytetarët të cilët plotësojnë kriterin e moshës për vaksinim. Numri i të infektuarve me variantin Delta është rritur dramatikisht dhe fakt për tu përmendur është se shumica e viktimave nuk ishin të vaksinuar”.
“Andaj e domosdoshme dhe e pa alternativë për tejkalimin e krizës mbetet vaksinimi”, u shpreh ajo.
Nis seanca e Kuvendit të Kosovës
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.
Seanca e Kuvendit, deputetët e VV-së të parët në sallë
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, janë të parët që kanë mbërritur në sallën e Kuvendit të Kosovës ku do të mbahet seanca e parë e sesionit vjeshtor.
Në këtë seancë ndër të tjera pritet të formohet Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve në Bordin e RTK-së.
Rendi i ditës:
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Pyetjet parlamentare,
Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-013 për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-017 për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit,
Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 8 (tetë) anëtarë nga komuniteti shqiptarë dhe 1 (një) anëtar nga komuniteti serb në Bordin e RTK-së.