Fetahu: Dhimbjen për viktimat në Tetovë po e përjetojmë të gjithë (Video)

Kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu tha se, dhimbja për viktimat nga tragjedia në spitalin modual të Tetovës i ka kapluar të gjithë qytetarët e vendit. Në një prononcim për gazetën LAJM, Fetahu tha se BFI-ja dhe Myftinia e Tetovës ka marrë përsipër të bëjë varrimin e viktimave.

“Jemi me emocione. Dhimbjen jemi duke e përjetuar të gjithë. Këto viktima nuk janë vetëm dhimbje e familjes është edhe e gjithë popullatës myslimane dhe qytetarëve në përgjithësi. Ne maksimalisht jemi në përkhraje të familjeve. Si BFI kemi ndarë një ndihmë simbolike. Myftinia e Tetovës ka marrë përsipër ta bëjë varrimin me të gjitha shpenzimet. Kështu që ne se BFI jemi në shërbim të kësaj situate”, tha kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu për gazetën LAJM.

Lidhur me vonesat për varrimin e viktimave, Fetahu tha se kjo ka ndodhur për shkak të ekspertizës në Klinikën e Shkupit.

“Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë dhe Myftenia e Tetovës janë të gatshëm me të gjitha kushtet për varrimin e vitkimave. Ne jemi këtu prej ora 10;30, jemi duke pritur bashkë me familjarët. Ajo që është në kompetencën tonë, ne jemi gati, por nga organet kompetente kemi informatë se për shkak të ekspertizës kanë edhe pak punë. Lajmi I fundit nga organet kompetente në Klinikën e Shkupit është se në ora 15;00 duhet të nisen kufomat prej Shkupi dhe ne planifikojmë, në bazë të informatës që në ora 16;00 të nis varrimi dhe shpërndarja e kufomave nëpër fshatra”, tha kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu për gazetën LAJM.