Mes tensioneve të shumta dhe me protesta u shoqërua ceremonia në manastirin e Cetinjes, dikur kryeqytet i malazezëve dhe që sot konsiderohet si kryeqendra kulturore dhe fetare e Malit të Zi. Fronëzimi i peshkopit serb, Mitropoliti i Malit të Zi dhe Litoral, Joanikije në Manastirin e Cetinjes është kundërshtuar ashpër nga malazezët.
Ata dolën në rrugë dhe vendosën barrikada në hyrje të qytetit për të penguar arritjen e krerëve të Kishës Ortodokse Serbe nga Podgorica në Cetinje. Por, Porfirije dhe Joanikije u transportuan me helikopter deri në Manastirin e Cetinjës. Komuna, organizata dhe partia e Presidentit Milo Gjukanoviç kundërshtojnë këtë ceremoni. Policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestën, gjë ka shkaktuar tensionimit e mëtejshëm të situatës.
Ambasada amerikane në Malin e Zi i ka bërë thirrje që palët të vetëpërmbahen dhe të mos lejojnë që situata të agravohet akoma më tej. “Qeveria amerikane u bën thirrje të gjitha palëve që të zvogëlojnë urgjentisht situatën. Liria fetare dhe liria e shprehjes, përfshirë këtu mbledhjen paqësore, duhet të respektohen. Ndërsa është treguar shumë me gisht se kush është përgjegjës, individët përfundimisht do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të mos e marrin zemërimin e tyre ndaj policisë ndërsa përpiqen të mbrojnë rendin publik dhe policia të përdorë vetëm mjetet e nevojshme për të rivendosur paqen. Të gjithëve që mbështesin një Mal të Zi multietnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik – ju bëjmë thirrje që të qetësoni tensionet aktuale”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-ve. Kisha Ortodokse e Malit të Zi është nën Kishën Autoqefale të Serbisë. Ajo synon pavarësimin nga Kisha Ortodokse Serbe.
ALSAT