Qeveria nuk ndryshon mendje, mbetet në fuqi ndalesa për dasma dhe gazmende të tjera

Qeveria e Maqedonisë së Veriut edhe pse ka lejuar mbajtjen e ngjarjeve sportive dhe kulturore me publik, por duke poseduar certifikatë të vaksinimit apo se kemi kaluar sëmundjen, ka vendosur të mos lëshojë pe në ndalesën për dasma dhe gazmende të tjera.

Me këtë, Qeveria e konfirmoi edhe sot se mbetet në fuqi ndalesa për dasma, ditëlindjeve dhe gazmendeve të tjera në ambiente të mbyllura në objekte hotelerike, si dhe të gjitha masat tjera në përputhje me vendimin e seancës së 99-të sipas të cilës për hyrje në objekte hotelerike, kafene dhe klube të natës, pa dallim të kapacitetit dhe numrit të të pranishmëve, detyrimisht duhet të posedohet dhe tregohet verifikimi i njërit nga dokumenteve siç janë:

– Certifikatë/vërtetim për imunizim të kryer (vaksinim) të virusit SARS-CoV-2, gjegjësisht pranim të më së paku një doze të vaksinës kundër sëmundjes ngjitëse Kovid-19 apo
– Certifikatë/vërtetim se kemi kaluar Kovid-19 në 45 ditët e fundit, duke e konsideruar ditën e shërimit, për personat mbi 18-vjeç.

Kjo masë siç thuhet në kumtesën e Qeverisë, detyrimisht zbatohet edhe për organizimin e punës dhe pranisë apo pjesëmarrjes në çdo ngjarje në ambiente të hapura si dhe për hyrje në pjesën e mbyllur të qendrave tregtare, transmeton TV21.

Në mënyrë shtesë, në të gjitha objektet hotelerike, kafenetë dhe klubet e natës të përfshira me këtë masë, ku kapaciteti është më i madh se 30 klientë apo persona, detyrimisht të vendoset shërbimi i radarit nga ana e objektit juridik për kontroll dhe realizim të masës. Ndërkaq, sërish në objekte hotelerike me kapacitet më të vogël se 30 persona kontrolli për posedim të certifikatës së Kovid-19 është obligim i personave të punësuar në mënyrë të rregullt.

Mbetet edhe ndalesa për organizim të dasmave, gazmendeve dhe kremtimeve të tjera në objektet të llojit të mbyllur, ndërkaq llojet tjera të ngjarjeve në të mbyllur mund të organizohen edhe më tej me plotësimin e 30% të kapacitetit të vendit ku mbahet ngjarja dhe kufizim të numrit të vizitorëve në maksimum prej 1000 personash me posedim të detyrueshëm të njërit nga dokumenteve të Kovid-19./TV21