Grubi për LAJM: Hapat drejt barazisë ishin të mëdhenj, por barazia e plotë do kohë (Video)

Zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi në një intervistë për gazetën LAJM ka folur për përfitimet që dolën nga Marrëveshja e Ohrit në këto 20 vite, për shtetin dhe për shqiptarët. Ai tha se shqiptarët sot janë të përfaqësuar në instancat më të larta të shtetit pa asnjë kufizim, kanë universitete, mund të përdorin simbolet e tyre kombëtare, gjuhën amtare, gjë që para dy dekadash ishte e vështirë të imagjohej. Megjithatë, z.Grubi tha se për t’u arritur barazia e plotë mes shqiptarëve dhe maqedonasve nw RVM, nevojiten akoma përpjekje dhe kohë.

“Marrëveshja e Ohrit solli përfundim të konfliktit duke etabluar paqen në vend dhe duke hapur rrugën për siguri, stabilitet dhe intergrim euro-atlantik të vendit tonë. Sa i përket barazisë, ne shpesh themi që pjesa normative e Marrëveshjes së Ohrit është miratuar nga ana e Kuvendit dhe nga ana e institucioneve tjera përkatëse ndërsa zbatimi i asaj pjesës normative, ligjeve që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit është i përditshëm sepse Marrëveshja e Ohrit është shndërruar në Kushtetutë përmes 15 amendamenteve që i janë shtuar Kushtetutës në vitin 2001 dhe zbatimi do të jetë i përditshëm dhe i përjetshëm i dispozitave nga Marrëveshja e Ohrit. Andaj dhe barazia e plotë është relative sepse është proces dinamik dhe i përditshëm. Nga distanca e sotme krahasuar me atë që kemi qenë para 20 viteve mund të themi se jemi shumë më tepër të barabartë sepse shqiptarët janë të përfaqësuar në institucionet shtetërore, kanë arsim në të gjitha nivelet e arsimit në vend, munden lirshëm ta përdorin kulturën e tyre simbolet e tyre, gjuhën e tyre dhe mund të përfaqësohen edhe në instancat më të larta të pushtetit pa patur asnjë kufizim, që nga presidenti i shtetit, kryeministri, kryetari i Kuvendit, ministra të ndryshëm, kryetar komunash etj…Pra, vlerësoj që hapat drejt barazisë kanë qenë shumë të sigurtë shumë të mëdhenj, por barazia absolute do kohë dhe përpjekje shtesë”, tha zv.kryeministri i parë Artan Grubi.

Në intervistën e tij për gazetën LAJM, Grubi ka folur për aktivitetet për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, për zgjedhjet lokale, raportet brenda partisë, për regjistrimin e popullësisë, si dhe për situatën e fundit me koronavirusin dhe zjarret. Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.