Belgjikë, 12 të vdekur nga përmbytjet

Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe pesë persona janë zhdukur në përmbytjet që goditën Belgjikën pas shirave të mëdha, raporton Anadolu Agency (AA).

Shirat e dendur goditën pjesën më të madhe të lindjes së vendit, rajone si Liege, Verviers, Spa, Namur dhe Limburg.

Autoritetet lokale njoftuan se 12 persona kanë humbur jetën në përmbytjet në këto qytete dhe fshatra përreth.

Më tej raportohet se të paktën pesë persona janë zhdukur në rajon dhe ekipet e kërkimit dhe shpëtimit janë në terren.

Dhjetëra shtëpi u shembën për shkak të përmbytjeve, kurse mijëra shtëpi dhe ndërtesa u përmbytën. Ujërat e rrëmbyeshëm morën një numër të madh të makinave të pasagjerëve.

Në disa pjesë në Liege, një nga qytetet më të goditura nga përmbytjet, banorët janë ftuar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Të shqetësuar se lumi Meuse që rrjedh nëpër qytet mund të dalë nga shtrati, nga banorët e disa rretheve, veçanërisht qendrës së qytetit, u kërkua të shkonin në zona më të larta ose në katet e sipërme të ndërtesave.

Shumë rrugë në lindje të vendit u mbyllën, si dhe u ndërpre trafiku i pasagjerëve dhe hekurudhave.