Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi foli për takimet në Bruksel me palën serbe.
Ai tregoi se fillimisht kanë pasur takime të ndara Kosovë-BE dhe Serbi-BE.
Bislimi tha se në takimin që kishte me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak janë identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saja por që thekson se në asnjë fjali të vetme nuk është përmendur asociacioni.
Tutje, Bislimi shtoi se takimi trepalësh Kosovë-Serbi-BE është mbajtur të mërkurën me fillim në ora 13 e 30 dhe ka zgjatur 3 orë e 20 minuta, ku pala jonë i ka shtruar sërish vërejtjet tona dhe pas nesh pala serbe ka ngritur 5 shqetësimet e saj, natyrisht me fokus kryesor tek asociacioni.
“Në përgjigje, te pjesa e asociacionit, fillimisht kam konstatuar mungesën e kredibilitetit moral nga ana e Serbisë për të kërkuar çfarëdo implementimi nga pala kosovare, për aq kohë sa ata vetë nuk kanë implementuar asnjë marrëveshje tek e cila nuk kanë parë përfitim për Serbinë. Pastaj i kam radhitur të gjitha strukturat ilegale paralele të Serbisë në Kosovë si në politikë, siguri, arsim, shëndetësi, ekonomi dhe financa, dhe kam vërtetuar që me kohë Serbia jo që ka punuar në shuarjen e tyre, por i ka fuqizuar të njëjtat, përfshirë vendimet për emërime të nënshkruara nga individë kyç si presidenti, kryeministri apo kryetari i parlamentit serb, dhe problemet me transferin ilegal të parave për financim të tyre. Kam përmendur ndërmarrjet që operojnë ilegalisht në Kosovë, si dhe kryetarët e disa komunave të cilët në të njëjtën kohë kanë buruar nga zgjedhjet lokale në Kosovë dhe financohen nga buxheti i Kosovës dhe janë edhe të emëruar si kryetarë të “institucioneve të përkohshme” të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Bislimi./21Media



