Shkruar nga: Fitim Nuhiu
Në një vend të qeverisur mirë, është turp të jesh i varfër;
Në një vend të qeverisur keq, është turp të jesh i pasur. (Konfuçi)
Këto ditë jam duke qëndruar në Rendsburg, Gjermani, tek një familjar i imi.
Po vëzhgoj me syrin e një ‘outsider-i’ dhe njeriu me mendje nuk mund të mos mahnitet (secilit që viziton vendet europiane i ndodh, e pranon ose jo) me rregullin social se si funksionon, si nga aspekti horizontal ashtu edhe në atë vertikal, në krye me rregullatorin e këtij rregulli, pra shtetin. (Nga arkitektura, urbanistika, respektimi i semaforëve, përshëndetja mes njerëzve, lumturia e tyre që iu lexohet në fytyrë, stili i jetës, duke u marrë me sporte e duke qenë të impenjuar me diçka tërë kohën, etj, etj).
Aty ku jam duke qëndruar është pronar i një restoranti me famë në këtë vend ‘Da Gianni’, dhe dua të shtjelloj një fenomen që më ngjalli kuriozitet.
Pronari në fjalë, Arsim Nuhiu nga Presheva, këtë biznes e ushtron prej 20 vitesh dhe ajo që në krye të herës që më bëri kurioz, ishte emri italian i restorantit. (Vlen theksuar se pronari ka ndjekur mësimet në kuzhinën italiane ku i ka marr hapat e parë, afrimitetin ndaj klientelës, me një fjalë të gjithë këtë zanat tek një pronar italian, pra produkt i kulturës italiane siç do thoshte z. Fatos Lubonja).
I gjithë stafi punues është shqiptar, është vetëm një kuzhinier italian dhe pika që i ka dhezur ky biznes është emri italian, dmth tradita e kuzhinës italiane (sigurisht edhe sjellja e tij bujare, afërsia e tij karshi klientelës, zotësia e tij, etj).
Të kuptohemi, s’jam as nacionalist, e as patriot, s’kam këso ndjenja krenarie aq shumë dhe e pyeta me syrin e një naivi: sikur të jetë emri shqiptar, të valoj flamuri shqiptar në vend të atij italian, si do ecte mbarëvajtja e këtij biznes. Ma ktheu, shumë pronar shqiptar kanë dështuar qysh në fillim të hapjes së restoranteve të tilla.
Dmth nga kjo kuptova se emri shqiptar, tradita jonë qoftë edhe nga kuzhina nuk funksionon në këtë vend, ku ka me tepri diversitete traditash nga më të ndryshmet, psh. ushqime tradicionale nga Azia, Kina, Turqia, Greqia, Kroacia, etj.
Kjo gjë më zhgënjeu paksa, sidoqoftë, biznesi është biznes, e mirëkuptoj që jo domosdoshmërisht duhet përfaqësuar përkatësinë tënde.
Në botën ku tregu është i lirë dhe i hapur për gjithsecilin, pavarësisht përkatësisë kombëtare, fetare, racore duhet konkuruar me atë që ka emër dhe vlerat e veta reale, e në tregun e lirë, krenaria nacionale boshe siç kemi qejfin ta bëjmë herë pas here, s’çon peshë aspak.
Ky artikull do të doja të ishte një kambanë e vogël, që të zgjoj gastronomët shqiptar duke bërë strategjitë se si mund të ndezë një gjë e tillë në botën ku tregu pranon vetëm cilësinë dhe vlerat e gjithsecilit dhe se si të promovojmë dhe të njihen edhe produktet tona tradicionale shqiptare.
Po e mbyll këtë artikull, duke e shijuar traditën e kuzhinës mahnitëse italiane, duke u kënaqur dhe ngushëlluar me idenë: meqë s’kemi traditë ushqimi të njohur botërisht, të paktën kemi pronar shqiptar që udhëheq dhe menaxhon për mrekulli këtë biznes, natyrisht në një vend të qeverisur mirë.
P.s. po gjykoj në këtë pikë aq sa kam parë, aq sa kam diskutuar me mërgatën tonë dhe aq sa kam vizituar.