Komisioni për Sëmundje Infektive nesër do të diskutojë nëse do të miratojë restrikcione të reja për shkak të shpërndarjes së variantit delta të virusit korona, njofton Portalb.mk.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar se tanimë po bëhen analiza dhe po hulumtohet këtë lloj të virusit.
Komisioni, tha ministri, do të vlerësojë nëse do të bëhen testime për hyrje në Maqedoninë e Veriut.
“Duhet që të vlerësohet rreziku dhe të bisedohet nëse ajo është masa e vërtetë që të mbrohemi”, tha Filipçe.
Për momentin, vetëm për udhëtarët nga India vlen masa e karantinës 14 ditore, a për të tjerët hyrja nuk është e kushtëzuar.
Ndryshe, në 24 orët e fundit nga 3.028 testime janë regjistruar 6 raste të reja me KOVID-19, nuk u regjistrua asnjë viktimë, por asnjë pacient i shëruar. Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë realizuar 887 621 testime, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 155.706, të shëruarve 150.067, të vdekurve 5.486, ndërkaq për momentin ka 153 raste aktive.