Punëtorët e turizmit akuzojnë institucionet! Asnjë informacion në gjuhë angleze për turistët e huaj

Punëtorët e turizmit janë në hall për shkak të mosangazhimit të institucioneve për t’i informuar turistët e huaj rreth protokolleve Kovid në vend. Akuzojnë se ministria e Punëve të Brendshme nuk po i azhurnon informatat ndërsa në ueb faqen e ministrisë së Shëndetësisë nuk ka asnjë informacion në gjuhë angleze që turistët të informohen për gjendjen epidemiologjike në vend.

“Ministria e Punëve të Jashtme në ueb faqe nuk ka informacione cilat janë kushtet për hyrje në vend. Nuk ka asnjë faqe në gjuhën angleze në të cilën biznesmenët dhe eventualisht turistët e interesuar mund të lexojnë se cilat janë kushtet për hyrje në vend. Është në dispozicion vetëm për maqedonasit kur udhëtojnë jashtë vendit, por edhe ato informacione janë të vjetra, nga nëntori, ndërsa tani është korrik”, tha Aleksandar Kuzmanovski nga Oda e Turizmit.

Për ta përmirësuar situatën, përveç promovimit të fortë, veçanërisht në rajon, Shoqata propozon edhe mbështetje për trafikun ajror, si dhe parkim falas për të gjitha automjetet dhe autobusët e huaj.

“Pasi që ishim një kohë të gjatë në zonë të kuqe si vend ku nuk sugjerohet të udhëtohet, nuk kemi bërë promocion të mjaftueshëm dhe ofensivë diplomatike që të kontaktohen “tur operatorët”, shtoi Asim Mexhedoviq nga Oda Turistike.

Nga Shoqata e Hotelierëve dhe Turizmit pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut thonë se vendi po i humbë jo vetëm turistët, por edhe pozicionet si një destinacion turistik. Nuk ka çarter, nuk ka mjaft autobusë, as udhëtime të mjaftueshme të organizuara për në Maqedoninë e Veriut./TV21