Shtetet e Bashkuara kanë fuqizuar përpjekjet për t’iu kundërvënë Kinës në aspektin teknologjik duke ndjekur kështu me zell të madh rrugën e ish presidentit Donald Trump, i cili i hapi luftë Kinës duke e sulmuar për shumë aspekte, kryesisht tregtare dhe për koronavirusin.
Senati amerikan njoftoi të mërkurën se miratoi një masë prej gati 250 miliardë dollarësh, përmes së cilës synohet që të mbahet epërsia në fushën e teknologjisë, në konkurrencë me Kinën.
Për projektligjin votuan 68 ligjvënës pro dhe 32 kundër. Pro kësaj mase votuan demokratët dhe republikanët duke shfaqur një lloj uniteti për përballjen ekonomike dhe politike me Kinën.
Udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Chuck Schumer tha se “udhëheqës ekonomik global do të jetë ai vend që fiton garën drejt teknologjive të së ardhmes”.
Nga kjo shumë e miratuar, 50 miliardë dollarë do të përdoren për të mbështetur zhvillimin dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve, pasi gjatë pandemisë së koronavirusit furnizimi më këtë material është vështirësuar.
Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia kryesore teknologjike në botë, por prodhimi i saj global i gjysmëpërçuesve ka rënë nga 37 për qind në vitin 1990 në rreth 12 për qind në ditët e sotme.
Rreth 170 miliardë dollarë do të përdoren për një sërë kërkimesh në fushën e teknologjisë.
Përkrahësit e ligjit thonë se përmes tij do të bëhet investimi më i madh në kërkimin shkencor për dekada me radhë.
Projektligji duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe pastaj do ti dërgohet për nënshkrim presidentit Joe Biden.