Me maska dhe distancë, mbi 15 mijë maturantë hyjnë në provimin e maturës shtetërore

Me maska dhe distancë, mbi 15 mijë nxënës të shkollave të mesme sot kanë hyrë në provimin e maturës shtetërore. Provimi i parë ekstern i cili është i obligueshëm për të gjithë është gjuha amtare ndërsa provimi i dytë i cili është caktuar për më 11 qershor do të jetë lëndë zgjedhore, përkatësisht matematikë apo gjuhë e huaj. Nga MASH thonë se edhe përkundër sfidave për shkak të pandemisë me Kovid-19, me sukses janë bërë përgatitjet për zbatimin e procesit të maturës shtetërore.

“Dëshmuam se si shtet mund të kemi arsim që në vazhdimësi zhvillohet gjatë gjithë vitit shkollor edhe në kohë të pandemisë, por gjithashtu treguam se dimë dhe mundemi në mënyrë të sigurte të zbatojmë provimet e maturës që tregon se i përmbahemi standardeve që janë pjesë e vendeve evropiane dhe atyre të zhvilluara”, tha Milla Carovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.

Drejtorja e Qendrës shtetërore për provime, Elizabeta Naumovska, tha se procesin sot e mbikëqyrin 2 000 testues, mësimdhënës, profesor nga shkollat e tjera të mesme dhe rreth 300 mbikëqyrës përfaqësues të MASH, Byrosë për zhvillim të arsimit, Qendrës shtetërore për provime si organizator i maturës.

“Materiali në kohë është distribuuar. Informacionet nga terreni thonë se të gjithë nxënësit janë prezent, nuk ka asnjëfarë pengese apo shtyrje, në kohë ka filluar procesi i provimit të maturës, në kohë u dorëzuan materialet pa ndonjë problem teknik më të madh. Tashmë matura po zhvillohet”, u shpreh Elizabeta Naumovska nga Qendra shtetërore e provimeve.

TV21 xhiroi një pjesë të nxënësve të cilët tashmë e përfunduan provimin e parë të maturës shtetërore.

“Kishim provimin në gjuhën maqedonase, tani përfunduam, ishte shkëlqyeshëm”.

A ishin pyetjet e lehta?

“Në përgjithësi po”.

Në cilën lëndë e keni provimin e ardhshëm?

“Në gjuhën angleze”.

Përndryshe për maturantët që janë paraqitur për të hyrë në provim por për momentin janë të penguar për shkak të izolimit, janë paraparë terminë shtesë më 25 dhe 28 qershor. Ndërsa nxënësit që nuk do të kalojnë provimin, më 11 dhe 13 gusht do të kenë përsëri mundësi për të hyrë në provim./TV21