Futbollistët e përfaqësueses së futbollit megjithatë në Kampionatin Evropian do të luajnë me fanellën verdhekuqe. Federata e Futbollit të Maqedonisë pas presionit nga opinioni, u bë pishman dhe kërkon nga UEFA që t’i mundësojë përfaqësueses të luaj në Kampionatin Evropian me fanellën tradicionale, e jo me fanellën e kuqërremtë që u promovua para disa ditëve. Qytetarët thonë se ngjyra e kuqërremtë nuk i pasqyron ngjyrat e përfaqësueses.
“Jo, jo nuk ka lidhje me fanellë. A mendoni se duhet të kthehen fanellat e vjetra? Jo duhet të bëhen fanella krejtësisht tjera. Çfarë? Ka artist që merren me këtë punë. Dëshira ime është që fanella të jetë në frymën e Maqedonisë”.
“Fanellë si fanellë nuk është e keqe, por ngjyrat janë huqur pasi që nuk janë marrë parasysh ngjyrat kombëtare me të cilat jemi mësuar e ato janë ngjyra e kuqe dhe e verdhë”.
“Nuk jam i dhënë pas sportit”.
“Jo. Përse? Jo. Ngjyrat nuk ju pëlqejnë? Së pari ngjyra por edhe simboli por edhe flamuri. Si duhet të jetë? Ashtu siç ka qenë më para”.
Kryetari i FFM-së Muhamed Sejdini ka dërguar kërkesë deri te UEFA për ndërrimin e fanellës por nga aty ende nuk ka përgjigje se a do të mund të luhet me fanellat e vjetra. Sejdini thotë se e merr përgjegjësinë për pasojat e mundshme.
“Fatkeqësisht, mbështetja teknike në lidhje me ngjyrën e fanellës nuk është në pajtueshmëri me kërkesat e FFM-së. Federata dhe shërbimet e FFM-së marrin përgjegjësinë e plotë për këtë zgjedhje, por gjithashtu do të kërkojmë përgjegjësi edhe nga partneri teknik. Si president i federatës, unë marr përgjegjësinë time për pasojat e mundshme dhe njoftoj se në Kampionatin Evropian do të luajmë me fanellat aktuale”, tha Muhamed Sejdini, kryetar i FFM-së.
Fanella ndoshta do të ndryshohet, por Presidenti Stevo Pendarovski javën e kaluar në Vatikan i dhuroi një fanellë të kuqërremtë Papa Françeskut me emrin e tij.
Ndryshe Kampionati Evropian Euro2020 do të nisë më 11 qershor, ndërsa Maqedonia ndeshjen e parë do ta zhvillojë më 13 qershor përballë Austrisë.





