Gjashtë muaj pas aksionit, hetuesit e Speciales i kthejnë pajisjet që i konfiskuan në OVL-UÇK

Kjo gjë është bërë e ditur nga u.d së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

Klinaku deklaroi se tashmë kanë autorizuar avokatin , Tome Gashi që nesër të shkojë tek zyrat e Speciales në Fushë-Kosovë që t’i marrë pajisjet në fjalë, transmeton lajmi.net.

Tutje ai theksoi se Prokuroria Speciale në Hagë duhet të jap sqarime se çfarë në fakt ka gjetur në ato pajisje.

Marrja e këtyre pajisjeve ishte bërë pikërisht në ditën kur edhe janë arrestuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Në Hagë është duke vazhduar një proces gjyqësorë ndaj dy të lartpërmendurve si dhe ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ish-deputetit Rexhep Selimi e figura të tjera të njohura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të akuzuar kinse për krime lufte në Kosovë.

Postimi i plotë:

Zyrtarët e Prokurorisë Speciale në Hagë, 6 muaj pas bastisjes në selinë qendrore të OVL UÇK-së në Prishtinë, më kanë njoftuar se nesër 24.03.2021 në ora 10:00, do t’i kthejnë pajisjet të cilat i kanë marrë me 25.09.2020, në të njëjtën ditë kur i arrestuan padrejtësisht kryetarin Hysni Gucati dhe nënkryetarin Nasim Haradinaj.

Ne kemi autorizuar avokatin e OVL të UÇK-së z.Tomë Gashi, i cili nesër, në kohën e lartëshënuar, do të shkoi në zyret e Prokurorisë Speciale të Hagës, që janë në kompleksin e EULEX-it në Fushë Kosovë, që t’i marrë pajisjet tona.

Prokuroria Speciale në Hagë, duhet të jap sqarime se çfarë ka gjetur në pajisjet tona…?