Ali Ahmeti uron Albin Kurtin: Kosova gjithmonë do ta ketë përkrahëse BDI-në

Zgjedhjet në Kosovë i ka komentuar lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Ka uruar Albin Kurtin për fitoren, institucionet për realizimin e një procesi demokratik zgjedhor dhe të gjitha partitë politike.

Ka vlerësuar, se Kosova e ka pasur dhe do ta ketë gjithmonë përkrahës, partner dhe bashkëpunëtor të mirë BDI-në.

“Përgëzoj të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për mbarëvajtjen e procesit të sotëm zgjedhor. Uroj Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin për fitoren në këto zgjedhje të parakohshme, shumë të rëndësishme për Kosovën, popullin e saj dhe të gjithë shqiptarët. Gjithashtu uroj edhe të gjitha partitë tjera politike për rezultatet e arritura por edhe për kontributin e dhënë që ky cikël zgjedhor të zhvillohet në frymën europiane. Në çdo kohë dhe në çdo rrethanë, Kosova bashkë me qytetarët e saj dhe institucionet, kanë patur vëlla, aleat dhe përkrahës në mua si dhe partner dhe bashkëpunëtor tek BDI-ja dhe tek të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së veriut, dhe unë ju siguroj që kështu do të mbetet gjithnjë”, thuhet në urimin e Ahmetit, transmeton TV21.