Profesori i Univeristetit të Tetovës, Arbër Çeliku është ftuar për t’u bërë pjesë e një projekti të Qendrës për Hapje dhe Dialog, e quajtur ndryshe edhe COD (Center for Openness and Dialogue), e cila gjendet në mjediset e Kryeministrisë në Tiranë. Çeliku në këtë projekt është ftuar si profesor i gjuhës gjermane në UT, përkthyes dhe njohës i mirë i gjuhës shqipe.
Ai bën hulumtime në fushën e gjuhësisë krahasuese të shqipes me gjermanishten dhe anglishten dhe ka botuar dhjetra punime shkencore në këtë temë.




Projekti quhet “Gjuha shqipe në universitetet e botës”. Ai ka si qëllim promovimin e gjuhës shqipe si një element i rëndësishëm i studimeve gjuhësore në botë.
Tema paraqet rëndësi në shumë aspekte: shkencore, historike e kulturore. Kështu, pjesëmarrës të këtij projekti do të jenë profesorë, studiues dhe studentë të fushës, të cilët do ta ndajnë përvojën, kontributin, synimet, sfidat, qasjet, problematikat dhe veprimtaritë e kësaj fushe e tyre në një cikël Webinar-esh.
Realizmi i këtij cikli do të bëhet në bashkëpunim me universitetet publike shqiptare dhe katedrat albanologjike në rajonin tonë, si dhe me universitetet ku studiohet gjuha shqipe në Europë, SHBA, Kinë etj.
COD-i është një qendër unike kulturore, e cila u hap për herë të parë për publikun më 8 korrik 2015. Mjediset e saj janë pjesë e godinës së Kryeministrisë, e transformuar fizikisht dhe konceptualisht si një hapësirë në shërbim të qytetarëve.
Kjo qendër është krijuar për të qenë në dispozicion të publikut, të njerëzve të artit, të kulturës, të shoqërisë civile, të politikës e, pa dyshim, të të rinjve, si një mundësi e shumëfishtë shprehjeje për ta. Gjatë këtyre viteve, COD-i ka realizuar projekte për artin, debatin social dhe edukimin kulturor, si dhe ka vendosur standarde për cilësinë e organizimit të veprimtarive artistike e kulturore. Për më shumë vizitoni faqen zyrtare http://cod.al/.





