Shkup, 26.01.2021 – “Familja Altarac, FËMIJËRIA E HUMBUR, Rrëfim mbi jetën dhe mbijetesën”, është
libri i radhës që u botua nga ana e ITSHKSH-Shkup, në bashkëpunim me Shoqatën “Acta Non Verba”, në
vigjilje të 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
Drejtori Skender Asani tha se ITSHKSH tashmë ka projektuar një strategji mbi Holokaustin dhe në kuadër
të kësaj strategjie është edhe publikimi i dëshmive dhe evokimeve të të mbijetuarve dhe të atyre që
kanë ndihmuar hebrenjtë të shpëtojnë nga kthetrat e vdekjes.
“Familja Altarac, FËMIJËRIA E HUMBUR, Rrëfim mbi jetën dhe mbijetesën” është përmbledhje
përjetimesh, i shkruar në formë evokimesh. Në qendër të rrëfimit të këtij libri ndodhet Shela, e lindur si
Rashela Cion, rreth vitit 1934, në Shtip. Ajo përshkruan me nota të ngrohta jetën e saj fëmijërore në një
familje tradicionale dhe të pasur. Mirëpo kjo ngrohtësi familjare prishet në mëngjesin e 11 marsit 1943,
kur ushtarët gjermanë dhe ata bullgarë, nisin aksionin famëkeq për grumbullimin e hebrenjve të
Shtipit… Mirëpo këtu ndodhë edhe ndarja e familjes së Shelës, pasi që ajo me të motrën e saj Bela,
arrijnë të kapërcejnë telat e kampit dhe të fshihen diku në afërsi, prej nga kanë parë skenat e trishtimit
se si hebrenjtë e kampit, duke përfshirë dhe anëtarët e familjes së tyre, janë hipur e ngarkuar në vagonë
mallrash, për t’i dërguar në kampin famëkeq Treblinka në Poloni”, u shpreh drejtori Asani.
Sipas tij, ky libër kujtimesh kap një hark të gjatë ngjarjesh dramatike, duke filluar nga Shtipi dhe duke
përfunduar në Jerusalem, ku Shela bashkë me bashkëshortin Braco kishin krijuar familje, tre fëmijë dhe
10 nipër e mbesa. Historia e Shelës si një fëmijë i braktisur, që vjen në këtë libër, e cila i kishte humbur
gjithë anëtarët e familjes së saj, dhe e ngelur e vetme gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, deri në
emigrimin e saj në Izrael, është testament i gjallë i një kujtese njerëzore që na bën më të ndërgjegjshëm
për pasojat e ngjarjeve tragjike në jetën e njerëzve.
Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, u shpreh se dinjiteti
njerëzor i hebrenjve u shkel në mënyrë më ç’njerëzore nga ana e nazistëve në llogoret e vdekjes. “Gjëja
më e mirë është që të marrim mësim nga e kaluara dhe që ato vuajtje të mos përsëriten më kurrë.
Shpreh respektin e thellë për ata njerëz trima që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetën e tjerëve.
Ngjarjet e tilla si kjo e sotmja janë mundësi që ne ta kuptojmë se humanizmi është një nga trashëgimitë
tona më të vyera”, tha Zëvendëskryeministri Grubi.
Përmes një video-mesazhi të shkurtër dhe shumë emocionues, u drejtua edhe vetë Rashela Altarac, e
cila në moshë të shtyrë jeton në Izrael. Ajo bëri falënderimet e veçanta ndaj drejtorit Asani dhe
hulumtueses shkencore Maja Susha, për kontributin e dhënë në zbardhjen e historisë së saj të
dhimbshme familjare.
Ambasadori i Izraelit në Shkup, Dan Oryan, po ashtu përmes një video-mesazhi, u falënderua për këtë
kontribut të Institutit dhe ‘Acta Non Verba’, si një rast i shkëlqyer për të kujtuar të gjitha viktimat e
Holokaustit. Ndërsa, zëvendësambasadori i Gjermanisë në Shkup, Otto Graf, tha se është posaçërisht e
rëndësishme që këto ngjarje të përcillen tek gjeneratat e reja, në mënyrë që e kaluara kurrë më të mos
përsëritet.
Aktivitetin e përshëndeti përfaqësuesi i Ambasadës amerikane në Shkup, Andrew Moffat, si edhe
përfaqësuesi i Komunitetit Hebre të Kosovës, Flori Dedeni. Ndërsa, fare në fund asistentja hulumtuese e
Institutit, Maja Susha, foli për historinë e dhimbshme të familjes Altarac dhe projeksionet e së ardhmes
të Departamentit për edukimin dhe hulumtimin e Holokaustit, që kanë të bëjnë me zbardhjen e të
vërtetave të reja të shpëtimit të hebrenjve nga këto troje gjatë Luftës së Dytë Botërore.






