Me konceptin e ri për arsim fillor për herë të parë vendosen standarde kombëtare, me të cilat përcaktohen kompetencat që duhet t’i përfitojnë nxënësit gjatë arsimit fillor. Deri tani tërë arsimi ishte i orientuar në mënyrë përmbajtësore, ndërsa për herë të parë po vendoset arsim, i cili do të shohë rezultate nga mësimi, gjë që është standard ndërkombëtar, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska.
Standardet tona kombëtare përgatiten në bazë të kornizës që e jep OECD-ja. Ministrja Carovska sqaroi se standardet kombëtare kanë të bëjnë me tetë fusha, rreth të cilave janë grupuar kompetencat, e ato janë, arsimimi gjuhësor; shfrytëzimi i gjuhëve tjera; matematika; shkencat natyrore dhe teknologjia; arsimimi digjital; zhvillimi personal dhe social; kultura demokratike dhe qytetërimi; sipërmarrja dhe shprehja artistike, kultura dhe multikultura.
“Këto janë tetë standardet kombëtare, të cilat çdo fëmijë duhet t’i ketë në momentin kur të dalë nga arsimi fillor”, tha Carovska në intervistën e mbrëmshme për Sitelin.
Po krijojmë grupim të lëndëve themelore, që të mund secili nxënës t’i arrijë si kompetenca, sqaroi ministrja. Por, çdo nxënës, që të mund ta arrijë potencialin e tij themelor, zgjedh dy lëndë zgjedhore gjatë vitit, nga një në gjysmëvjetor. lëndët zgjedhore janë nga katër kapituj: plotësime të diturive nga lëndët themelore, shkathtësi tjera si ndërtimtaria, gatimi, arsimi teknik, pastaj aktivitetet sportive dhe kapitull për zhvillim personal.
“Për herë të parë si standard vendoset zhvillim personal. Pse? Sepse edukimi shumë është lënë anash. Tani e kthejmë prapa. Me lëndën zgjedhore nxënësi e plotëson arsimin dhe merr pjesë në krijimin e planit të tij arsimor në arsimin fillor”, tha Carovska.
Nxënësit do të jenë minimujm gjashtë orë në shkollë, që të mund krahas orëve për lëndët themelore, të kenë edhe aktivitete shtesë.




