Do të shtohen kontrolle e inspektorëve për festat e fundvitit

Me afrimin e festave të fundvitit do të shtohen kontrollet e inspektorateve të ndryshme ndaj objekteve gastronomike dhe hotelierike me qëllim parandalimin e organizimit të festave. Këtë e paralajmëroi drejtoresha e Këshillit të Inspektoratit, Magdalena Filipova Grashkoska, e cila tha se inspektorët do të organizohen varësisht prej vendimeve në fuqi lidhur me organizimin e punës së objekteve gastronomike.

Magdalena Filipova Grashkoska

“Absolutisht do të ketë kontrolle të shtuara, por do të varet nga ajo se çfarë do të vendoset. Shërbimet e inspektoratit nuk marrin pjesë në procesin e sjelljes së vendimeve nëse do të punojnë ose jo dhe nëse do të ketë ndryshime lidhur me punën e objekteve gastronomike. Varësisht nga ajo që do të vendoset, ashtu edhe do të organizohemi. Por pa marrë parasysh këtë, ashtu siç qëndron situata aktualisht, inspektorët, veçanërisht Inspektorati i Tregut, por edhe të tjerët, janë vazhdimisht në terren”

Gjatë raportimit për javën e kaluar, numri një i inspektorateve në vend njoftoi se nga 30 nëntori deri më 6 dhjetor inspektorët e tregut kanë kryer 3.129 kontrolle dhe 490 mbikëqyrje të jashtëzakonshme, ku janë shqiptuar 30 procedura për shkelje dhe 44 vendime dhe 44 gjoba për shkelje. Për shkak të mosrespektimit të kufizimeve për orarin e punës dhe numrin e personave të pranishëm, gjatë kësaj periudhe janë mbyllur katër objekte gastronomike.

Magdalena Filipova Grashkoska

“Në bazë të ligjit për mbrojtje të popullsisë nga sëmundjet ngjitëse inspektorët kanë sjellë katër vendime për ndalesë të punës në katër objekte hotelierike, tre në Shkup dhe një në Gostivar në të cilat janë konstatuar se nuk respektohen protokollet. Objektet kanë punuar pas orës 21:00 me më shumë mysafirë në tavolinë nga sa lejohet. Për këto subjekte juridike dhe personat përgjjegjës janë shqiptuar gjoba për kundërvajtje”

Ditë më parë edhe ministri i Shëndetësisë paralajmëroi se në konsultime me Komisionin për sëmundje ngjitëse do të shqyrtojnë mundësinë për ndryshimin e masave dhe orarit të punës së objekteve gastronomike./SHENJA