Qeveria mbetet në qëndrimin se nuk duhet të ketë orë policore, edhe pse numri i të infektuarve dhe atyre që ndërrojnë jetë nga Kovid-19 çdo ditë rritet. Zv.kryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë se në buxhetin për vitin 2021 janë paraparë 3 miliardë denarë apo 50 milion euro për masa eventuale për përballje me kovid krizën.
“Qëndrimi i Qeverisë është se ende nuk ka ardhur koha për orë policore. Masat nga aspekti shëndetësor që janë sjellë po japin rezultat. Por gjithsesi po e ndjekim gjendjen shëndetësore dhe rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse, por megjithatë nëse është e nevojshme do të reagojmë”, tha Fatmir Bytyqi, zv/Kryeministër për Çështje Ekonomike.
Zv.kryeministri shtoi se me orën policore pasojat ekonomike do të jenë të dukshme. Por tha se deri në fund të vitit me buxhetin shtetëror është mbuluar gjithçka për zbutjen e goditjes së ekonomisë nga Kovid-19.
“Sa i përket pasojave ekonomike, gjithsesi se janë të lidhura. Sa më shumë që e shkurtoni kohën e subjekteve ekonomike, aq më shumë janë të dukshme humbjet. Ne thamë se nëse ky është rast për shkak të krizës shëndetësore, do të reagojmë në mënyrë adekuate me masa ekonomike. Gjithë atë që e kemi planifikuar deri në fund të vitit do ta realizojmë. Dispozitat ligjore tashmë kanë kaluar në Kuvend, disa janë në procedurë”, u shpreh Bytyqi.
Pasojat nga kovid kriza do të ndjehen së shpejti në aspektin ekonomik. Kriza më së shumti goditi qytetarët, shumica e tyre mbetën pa punë. Vetëm në tremujorin e dytë janë regjistruar mbi 159 mijë persona të papunësuar sipas Entit shtetëror për statistikë. Për dallim të tremujorit të parë të vitit 2020, numri i përgjithshëm i të papunësuarve është rritur për rreth 3 mijë qytetarë.






