900 mijë euro reklama zgjedhore nga LSDM: Para edhe për portale anonime dhe ish zyrtar

LSDM dhe koalicioni i saj kanë shpenzuar afërsisht 900 mijë euro për reklamim në media gjatë zgjedhjeve të fundit lokale. Pjesa më e madhe e mjeteve është përqendruar në televizionet kombëtare, ndërsa për 71 portale të internetit dhe gazeta janë ndarë rreth 200 mijë euro. Një pjesë e parave kanë përfunduar në portale anonime dhe pa impresum, si dhe për ish zyrtar shkruan Portalb.mk. 

Të dhënat janë marrë nga KShZ në janar të këtij viti, ndërsa shumat për media në infografika përfshijnë TVSH dhe janë llogaritur në euro sipas kursit 6.5. Kujtojmë që bëhet fjalë për para publike, përkatësisht të taksapaguesve.

Kjo është lista e top 10 televizioneve me përfitimet më të larta nga koalicioni i LSDM-së. 

10 televizionet me përfitimet më të larta nga LSDM. Infografik: Ardit Ramadani/Portalb
10 televizionet me përfitimet më të larta nga LSDM. Infografik: Ardit Ramadani/Portalb

Nëse televizionet dominojnë për nga vlera e financimeve, te portalet vërehet një shpërndarje më e fragmentuar, me shuma më të vogla por më shumë përfitues.

Lista në vijim paraqet 15 portalet me përfitimet më të larta nga koalicioni i LSDM-së.

15 portalet me përfitimet më të larta nga LSDM. Infografik: Ardit Ramadani
15 portalet me përfitimet më të larta nga LSDM. Infografik: Ardit Ramadani

Pjesën më të madhe të mjeteve për reklamim të paguar politik nga LSDM-ja, afërsisht 21 mijë euro, i ka përfituar kompania “Media Plus Fokus”, përmes portalit www.fokus.mk dhe Gazetës Fokus.

Më pas renditet Sloboden Peçat, e cila me portalin www.slobodenpecat.mk dhe gazetën ka inkasuar nga LSDM-ja afërsisht 16 mijë euro.

Nga portalet online, më së shumti mjete, rreth 11 mijë euro i ka marrë kompania “Motion Group”, që operon me portalet www.trn.mk dhe www.racin.mk.

Pjesë e stafit në të dy këto media është Marjan Zabrçanec, i cili ishte i në kohën kur në pushtet ishte LSDM-ja si koordinator kombëtar për komunikimet strategjike dhe për zbatimin e strategjisë së komunikimit të Qeverisë.

Ndërkohë, përfitues të mjeteve për reklamim politik nga LSDM-ja rezultojnë edhe portale pa impresum, pas të cilave nuk dihet kush qëndron, si dhe media që nuk i plotësojnë standardet minimale profesionale.

Lëmshi duket i qëllimshëm, por, a ka kush vendos rend?

Me pak fjalë, për portalet online nuk ka. Në Maqedoninë e Veriut ekziston Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele që është kompetente për të monitoruar reklamimin politik me pagesë, por vetëm të radiove dhe televizioneve.

Që kur shpallen zgjedhjet, deri në përfundimin e tyre kjo agjenci monitoron sjelljen e telezivioneve dhe radiove. Ata kryesisht ndjekin nëse transmetuesit i përmbahen limiteve për kohën shtesë të lejuar për reklamim politik të paguar, nëse transmetuesi kujdeset që dy herë radhazi të mos transmetojë reklamë për të njëjtën parti politike dhe ngjashëm.

Për shembull, gjatë zgjedhjeve lokale të 2025, ata kishin konstatuar që një televizion lokal kishte tejkaluar limitin e lejuar për reklamim politik me pagesë dhe kanë iniciuar procedurë kundërvajtëse në gjykatën kompetente.

Kështu, me pak fjalë, përpos që nuk ka asnjë kriter se cilat media të internetit mund të financohen nga paratë e shtetit përmes partive politike, ata s’ka as kush i kontrollon, as kush i ndëshkon për shkelje të rregullave, sepse në fakt, nuk ka fare rregulla.

Partitë politike të paguajnë vetë reklamimin në media, ose të ndalohet fare 

Zërijeta Hajro Jahjaga e cila aktualisht është zëvendës kryetare e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele për Portalb.mk thotë se jo vetëm portalet, ajo thotë se asnjë reklamë politike nuk duhet të financohet me paratë e shtetit pa kritere qartë të përcaktuara.

Zerijeta H Jahjaga, zv.kryetare e ASHMAA
Zerijeta H Jahjaga, zv.kryetare e ASHMAA

“Agjencia ka vërejtje serioze ndaj dispozitave të Kodit Zgjedhor (KZ) në pjesën që ka të bëjë me paraqitjen mediatike në përgjithësi dhe veçanërisht me dispozitat për RPP, pasi konsiderojmë se ky lloj reklamimi nuk duhet të financohet nga Buxheti, përkatësisht me paratë e qytetarëve. Në disa raste deri më tani, publikisht kemi theksuar se vetë Kodi Zgjedhor është burim rreziqesh zgjedhore për shkak të disa zgjidhjeve, paqartësive dhe mospërputhjeve të dispozitave”, tha Zërijeta Hajro Jahjaga.

Sipas saj, rregullat që vlejnë për internet portalet në Kodin Zgjedhor nuk janë të mjaftueshme.

“Agjencia vlerëson se është e nevojshme që në Kod të përcaktohen rregulla edhe për internet portalet që përfitojnë mjete buxhetore për reklamim politik me pagesë, konkretisht: të kenë impresum, domen .mk, strukturë pronësie transparente, si dhe të kenë funksionuar për më shumë se një vit. Praktika tregon se menjëherë para zgjedhjeve shfaqen ose aktivizohen media online të reja që funksionojnë qëllimisht vetëm gjatë periudhës zgjedhore; disa prej tyre nuk janë të regjistruara në vendin tonë dhe nuk ekziston mënyrë që të mbajnë përgjegjësi për përmbajtjen që publikojnë”, tha Hajro Jahjaga. 

Ajo shtoi se nëse veçse e drejta për mjete buxhetore u takon portaleve, duhet të vendoset një rregull që do t’i lejonte të marrin para vetëm internet portalet që janë të regjistruara në Regjistrin e Agjencisë, në të cilin lejohet regjistrimi vetëm i portalet që i plotësojnë disa kritere bazë. Sipas saj, transparenca duhet të jetë kyçe pasi bëhet fjalë për para publike, shtoi që palët duhet të ulen dhe të bisedojnë për një mekanizëm mbikëqyrës.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka vite që kërkon ndryshime ligjore

Jo vetëm publikisht, por edhe në takime me Ministrinë e Drejtësisë, ku diskutohen ndryshimet ligjore, përfaqësues të ShGM-së kanë kërkuar që t’i jepet fund praktikës së financimit të fushatave zgjedhore me para publike.

Në fakt, jo vetëm ShGM-ja, këtë ndërvite e kërkojnë edhe organizatat ndërkombëtare që monitorojnë proceset zgjedhore si ODIHR dhe rregullatori mediatik me të cilët biseduam paraprakisht, ASHMAA.

Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë theksoi se mekanizmi aktual i programit të paguar politik lë shumë hapësirë për keqpërdorime potenciale.

Dragan Sekuloski, SHGM. Foto: SEEMO
Dragan Sekuloski, SHGM. Foto: SEEMO

“Lë hapësirë për ndikim të drejtpërdrejtë mbi politikën redaktuese të një pjese të mediave, veçanërisht shqetësuese është gjendja te mediat online. Sipas raporteve të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në praktikë shfaqen faqe interneti pa impresum, faqe të krijuara menjëherë para zgjedhjeve, si dhe raste kur të njëjtët pronarë hapin disa platforma për të fshehur transaksionet dhe për të përfituar mjete publike. Kjo e ul transparencën dhe krijon rrezik serioz për keqpërdorim të fondeve publike”, tha për Portalb.mk Sekullovski.

Meqë vullnet për heqjen e kësaj praktike nuk ka, Sekulovski thotë se ShGM ka propozuar mekanizma rregullues, me synimin për të kufizuar hapësirën për keqpërdorime.

Me ndryshimet e fundit në Ligjin për Media, është vendosur i ashtuquajturi regjistër vullnetar i mediave online, pjesë e të cilit mund të bëhen vetëm ato internet portale të cilat i plotësojnë disa kushte të caktuara.

Ai thotë se duhet të shtohet në Kodin Zgjedhor që para nga shteti të mund të marrin vetëm ato internet portale që janë pjesë e këtij regjistri.

“Që kjo të bëhet, janë të domosdoshme edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor të cilat do të parashihnin që në fushatën parazgjedhore të mund të marrin pjesë vetëm mediat online që janë pjesë e këtij regjistri. Në këtë mënyrë, nëse koncepti i shpenzimit të mjeteve publike për promovim partiak vazhdon të ekzistojë, të paktën do të përmirësohet transparenca: portalet që nuk plotësojnë standardet minimale mediatike, siç është detyrimi për impresum, thjesht nuk do të përfshihen në sistemin e programit të paguar politik”, shtoi Sekulovski.

Nora Kaliqi është eksperte e medias, kryetare e Këshillit për Etikë në Media. Ajo për Portalb.mk thotë se deri te ata vazhdimisht arrijnë ankesa për përmbajtje joprofesionale të publikuara në portalet e internetit.

Nora Kaliqi, eksperte e medias
Nora Kaliqi, kryetare e KEMM

“Në bazë edhe të statistikës së fundit nga ankesat e drejtuara në Komisionin për Ankesa për vitin 2025, vërehet se pjesa më e madhe e shkeljeve lidhet pikërisht me hapësirën online, ku dominon përmbajtja joorigjinale dhe mungesa e përgjegjësisë editoriale. Pa lidhjen e qartë mes transparencës dhe financimit publik, rrezikojmë që sistemi të vazhdojë të shpërblejë përmbajtje joprofesionale në dëm të informimit të qytetarëve”, tha Kaliqi.

Një pjesë e madhe e këtyre internet portaleve që marrin shuma të mëdha parash për reklamim të paguar politik nuk plotësojnë standardet minimale profesionale.

“Monitorimi ynë e konfirmon këtë realitet, një pjesë e mediave që prodhojnë përmbajtje problematike operojnë jashtë çdo mekanizmi identifikimi dhe llogaridhënieje. Mungesa e transparencës, burimet e paqarta dhe përmbajtja e ricikluar krijojnë një ambient ku standardet profesionale relativizohen dhe ku konkurrenca bëhet e pabarabartë”, tha Kaliqi.

Ajo ritheksoi nevojën që në Kodin Zgjedhor të përfshihet kushti që mediat përfituese të fondeve publike të jenë pjesë e një regjistri zyrtar. Aktualisht, vetëm 29 portale janë të regjistruara në regjistrin e ASHAM ndërsa rreth 250 portale kishin aplikuar për të marrë mjete për reklamim politik.

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2024, në raportin e tij, theksoi se “nuk ka rregulla specifike për portalet online”, dhe shumë portale u krijuan pak para zgjedhjeve pikërisht për të marrë para shtetërore. ODIHR-i rekomandoi që nëse ky model vazhdon të zbatohet, “duhet të vendosen urgjentisht kritere të qarta dhe objektive për pranueshmërinë e portaleve online për rifinancim shtetëror të reklamave politike të paguara”.

Analizat e detajuara mbi mënyrën se si janë shpërndarë këto mjete nga secili prej katër koalicioneve më të mëdha dhe kush janë përfituesit kryesorë vijojnë në pjesët pasuese të këtij hulumtimi.