Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë një mesazh urimi me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama thekson se Shqipëria është sot më pranë se kurrë familjes evropianë në rrugën e anëtarësimit në BE.
“Mirëmëngjes dhe në këtë Ditë të Europës, ku Shqipëria është më afër se kurrë familjes europiane, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.
Çdo vit më 9 Maj, vendet europiane kremtojnë Ditën e Europës, një datë që simbolizon fillimin e bashkëpunimit dhe unitetit në kontinent pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo ditë lidhet me Deklaratën Schuman, të shpallur më 9 maj 1950 nga ministri i Jashtëm francez Robert Schuman.
Në deklaratën e tij historike, Schuman propozoi vendosjen e prodhimit të qymyrit dhe çelikut të Francës dhe Gjermanisë nën një autoritet të përbashkët, me synimin për të shmangur konfliktet e ardhshme dhe për të ndërtuar paqe të qëndrueshme në Europë. Ky propozim u bë themeli i krijimit të Komunitetit Europian të Qymyrit dhe Çelikut, i cili më vonë do të shndërrohej në Bashkimin Europian.


