80% e grave paguajnë për shërbime gjinekologjike që janë falas

Qasja në shërbimet shëndetësore për gratë në Maqedoninë e Veriut mbetet e kufizuar, kështu thonë nga shoqata HERA me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit. Ata thonë se të dhënat tregojnë dobësi të mëdha në qasjen te shërbimet parandaluese.

“80% e grave kanë paguar për shërbime gjinekologjike që duhet të jenë falas. Vetëm rreth 15% e grave përfshihen në skrinimin për kancerin e qafës së mitrës brenda një periudhe trevjeçare, në vend të 75% të nevojshme. 92% e grave rome nuk informohen për të drejtën e tyre për kontroll gjinekologjik falas. Qasja te testimi për HIV është shumë më efektive përmes organizatave qytetare: 1 rast pozitiv në 150 teste, krahasuar me 1 në 1150 në institucionet shëndetësore”, thonë nga Hera.

Ata thpnë se edhe pse ekzistojnë programe parandaluese, zbatimi i tyre në praktikë mbetet i kufizuar për shkak të mungesës së financimit, qasjes të dobët dhe informimit të pamjaftueshëm, gjë që godet veçanërisht grupet e cenueshme dhe gratë në zonat rurale.

“Parandalimi nuk duhet të jetë një aktivitet i rastësishëm, por një shërbim i vazhdueshëm dhe i arritshëm për të gjithë”, thonë nga Hera.

Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, e cila këtë vit shënohet nën moton “Së bashku për shëndetin – qëndro pas shkencës”, Hera dje në Shkup – Komunën Qendër organizoi kontrolle dhe konsultime shëndetësore falas, me qëllim të afroheshin shërbimet parandaluese te qytetarët dhe të theksohej nevoja për përmirësimin e tyre sistematik.