8 të burgosur infektohen me korona virus 60 izolohen në Idrizovë

Virusi korona është shpërndarë edhe në burgjet e vendit, por ministri i Drejtësisë thotë se situata është nën kontroll dhe po merren masat e nevojshme. Vetëm në burgun e Idrizovës ka tetë të burgosur që kanë rezultuar pozitiv në testin e KOV ID 19, ndërsa 60 të tjerë janë në izolim për shkak të kontaktit me të infektuarit. Ministri Bojan Mariçiq thotë se për të parandaluar zgjerimin e infektimeve, të burgosurit nga Idrizova do të dërgohen edhe në burgje të tjera, ndërsa rasteve më serioze u është ndërprerë vuajtja e dënimit dhe po trajtohen në institucionet shëndetësore në vend.

Bojan Mariçiq

“Një pjesë e atyre të burgosurve, që të mundësohet izolim i duhur, do të transferohen nëpër burgje të tjera, me qëllim që të sigurohet edhe trajtim adekuat. Përndryshe, të gjithë ata që shfaqin simptoma më serioze dhe kanë nevojë për trajtim në spitale, menjëherë u është ndërprerë vuajtja e dënimit dhe janë dërguar në spital. Mendoj se situata është nën kontroll”

Këto komente Mariçiq i bëri nga Shtipi ku mori pjesë në përurimin e bibliotekës në burgun e këtij qyteti. Edhe në këtë institucion dy të punësuar janë prekur nga virusi korona, por ministri tha se të njëjtit nuk kanë pasur kontakte ndërkohë me të burgosurit dhe virusi nuk është shpërndarë më tej./SHENJA