Tema e dhimbshme e dështimeve sistemike në mbrojtjen e grave-viktima të dhunës, u ngrit edhe një herë nga ngjarja e fundit tragjike në të cilën një nënë dhe bija e saj e humbën jetën, pasi raportuan disa herë dhunë në familje nga bashkëshorti dhunues dhe agresor. Pavarësisht thirrjeve të nënës për ndihmë, rasti mbeti pa përgjigje të duhur institucionale. Vdekja e nënës së re dhe vajzës së saj e nxori në pah edhe një herë realitetin – kur institucionet nuk reagojnë në kohë, dhuna përfundon me vdekje, transmeton Portalb.mk.
Vitet e fundit, shifrat janë bërë gjithnjë e më alarmante. Vrasjet e grave, përdhunimet, sulmet, kërcënimet, urrejtja, hakmarrja, përndjekjet, shantazhet, mizogjinia dhe seksizmi, nuk janë incidente të izoluara, por rezultat i jetës sonë të përditshme që i dehumanizon gratë.
Tragjedia e fundit ndodhi në prag të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kur tradicionalisht organizohet marshim, mesazhi kryesor i të cilit është se gratë nuk janë të sigurta askund dhe se lufta për të drejtat dhe lufta kundër femicidit dhe dhunës ndaj grave nuk duhet të mbetet vetëm në mesazhe simbolike.
“Ekzistojmë në margjinat e shoqërisë dhe historisë. Në rrezik të vazhdueshëm për t’u fshirë, për t’u harruar, për t’u vrarë. Nuk heshtim, nuk pranojmë, nuk pajtohemi. Sa gra të tjera do të zhduken, përderisa institucionet janë mbështetëse dhe nxitëse të heshtura të dhunës? Të gjitha institucionet kompetente që kanë injoruar, minimizuar, relativizuar, inkurajuar dhe lejuar dhunën ndaj grave për vite me radhë janë fajtore. Fajtor është edhe komuniteti, i cili ka zgjedhur t’u besojë abuzuesve në vend të viktimave. Në këtë shoqëri gruaja është lënë vetëm të dëshmohet, të mbrohet, të ikë dhe të kërkojë ndihmë më kot. Në këtë shoqëri, gruaja është më e pasigurtë pikërisht aty ku e ka vendin – në shtëpi. Kjo shoqëri i mëson burrat se kanë epërsi, se gratë janë pronë e tyre dhe se ata kanë të drejtë t’i posedojnë, t’i kontrollojnë madje edhe t’ua marrin jetën. Për vite me radhë kemi marshuar dhe luftuar për dinjitet, liri, siguri, parandalim, mbrojtje dhe jetë pa frikë. Edhe këtë vit do të marshojmë dhe me sfidë ndaj kulturës së dhunës do të dërgojmë mesazhin – Nuk do të zhdukemi. Nuk ka justifikim, nuk ka shmangie, nuk ka harresë. Së bashku, le t’u kundërvihemi dhunuesve, agresorëve, vrasësve dhe institucioneve”, thonë organizatoret e marshimit.
Numër rekord prej 4.745 grash raportuan dhunë në familje në vitin 2025
Një numër rekord prej 4.745 grash raportuan dhunë në familje në vitin 2025 në Maqedoni, sipas shifrave nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), të cilat përfshijnë vepra penale, kundërvajtje dhe ankesa për dhunë në familje. Nëse shihen shifrat e pesë viteve të fundit, situata është shqetësuese. Gratë janë më shpesh grupi më i prekur, gjë që është një alarm për futjen e masave të përforcuara për mbrojtjen dhe mbështetjen e tyre.

Meta para do kohësh shkroi se dhuna ndaj grave në Maqedoni po del përsëri në pah me një seri rastesh shqetësuese vetëm gjatë një dite, për të cilat MPB-ja raportoi në një nga buletinet e saj të fundit. Në Shkup dhe Dellçevë, disa gra raportuan sulme fizike, kërcënime dhe abuzim psikologjik nga partnerët ose ish-partnerët e tyre. Policia ka vepruar mbi disa raportime për dhunë me bazë gjinore, gjë që është edhe një provë se shumë gra janë të ekspozuara ndaj rrezikut pas dyerve të mbyllura të shtëpive të tyre.
Sipas të dhënave nga MPB-ja, në një periudhë prej pesë vitesh janë regjistruar madje 26 femicide. Në vitin 2021 u regjistruan katër vepra penale të “vrasjes”, në të cilat viktima ishin katër gra. Në vitin 2022, u regjistruan dy vepra penale të “vrasjes”, në të cilat viktima ishin dy gra. Vitin pasardhës, ky numër është 9, ndër të cilët njëra nga viktimat ishte një vajzë 14 vjeç. Në vitin 2024, u vranë pesë gra, njëra prej të cilave ishte një vajzë dyvjeçare, ndërsa vitin e kaluar u vranë 6 gra.
Nuk kemi institucione të forta që do t’i mbronin gratë viktima
Ana Avramoska Nushkova nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje konsideron se numri në rritje i raportimeve në MPB nga viktimat femra është për shkak të faktit se kjo temë po diskutohet gjithnjë e më shumë publikisht, ka fushata, media është më aktive, kështu që informacioni që arrin te gratë po rritet, ato dinë se ku të raportojnë dhe cilat janë të drejtat e tyre. Sipas saj, në praktikë, ndodh shpesh që gratë-viktima të raportojnë, pastaj të tërhiqen, dhe ato raste përfundojnë si ankesa që nuk kanë pasoja ligjore.
“Shumë herë, kur gratë raportojnë dhunë, ato dinë edhe të tërhiqen, për shkak të varësisë ekonomike, bashkëjetesës, shumë prej tyre jetojnë në shtëpi familjare me vjehrrin e tyre, por edhe për shkak të normave të tjera patriarkale dhe stereotipeve gjinore që ende ekzistojnë në shoqërinë tonë dhe presionit fillimisht nga familja më e ngushtë, dhe më pas nga mjedisi më i gjerë. Për veprën penale të lëndimit trupor, ku këto tërheqje nga ana e viktimës ndodhën më shpesh, tani me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, pas kallëzimit të këtij kësaj vepre penale, Prokuroria Publike do ta ndjekë penalisht autorin e veprës penale sipas detyrës zyrtare. Por, është shumë e rëndësishme ajo që ne si sistem kemi për t’i ofruar viktimës për ta mbrojtur atë. Duhet të kemi institucione të forta dhe shërbime të specializuara të vendosura, të qëndrueshme dhe të shpërndara gjeografikisht në mënyrë adekuate që të mund ta mbrojmë ashtu siç duhet viktimën femër që e raporton dhunën”, shton ajo.
Megjithatë, fakti është se në rastin e fundit të dhunës në familje që rezultoi në vdekjen e Ivanës dhe Katjas, këto ndryshime në Kodin Penal nuk u zbatuan, gjegjësisht policia hoqi dorë nga ndërmarrja e veprimeve pasi viktima nënshkroi se nuk ishte sulmuar fizikisht.
Në këtë ambient, 8 Marsi është një kujtesë se pandëshkueshmëria institucionale dhe toleranca shoqërore ndaj dhunës krijojnë kushte për tragjedi të reja. Vrasjet e grave, përdhunimet, kërcënimet dhe përndjekjet nuk janë incidente të izoluara, por pasoja të një sistemi që i ka injoruar paralajmërimet për vite me radhë dhe i ka lënë gratë të kujdesen vetë për sigurinë e tyre.
Lufta e grave është e përbashkët dhe burrat në këtë shoqëri duhet ta kuptojnë këtë
Marta Stevkovska, gazetare, autore, feministe dhe aktiviste për barazi gjinore nga rrjeti “Stella”, konsideron se lufta e grave është e përbashkët dhe se edhe burrat në këtë shoqëri duhet ta kuptojnë këtë.
“Është koha për të marshuar, për të kërkuar përgjegjësi, për ta dënuar dhunën dhe për të mos i mbyllur sytë kur ndodh dhuna. 8 Marsi për mua është një ditë në të cilën e vazhdojmë luftën e grave të së kaluarës, sepse ende u detyrohemi atyre për të drejtat që i kemi sot. Fatkeqësisht, sistemi i harron ato dhe i lë në margjina. Është detyra jonë t’i festojmë ato, të marshojmë për mbijetesën tonë dhe të vazhdojmë të luftojmë. Tragjedia e fundit në të cilën u “vranë” një nënë dhe një fëmijë e ekspozoi edhe një herë sistemin dhunues, i cili hesht përballë dhunuesve dhe kriminelëve, dhe i cili nuk i mbron gratë”, konsideron Stevkovska.

Për gratë në këtë shoqëri ka shpresë vetëm nëse, siç thotë ajo, ato veprojnë së bashku dhe në mënyrë solidare dhe deklarojnë me zë të lartë e qartë se gratë nuk duhen lënë në margjinat e shoqërisë dhe të pambrojtura.
“Është koha e duhur që autoritetet të na dëgjojnë vërtet dhe të na mbrojnë, gjegjësisht ta bëjnë punën e tyre siç duhet, siç kërkohet me ligj. Nuk mjafton vetëm t’i thuhet ndal dhunës dhe të mbahen fjalime për atë se dhuna duhet raportuar, por të fillohet me ndërmarrjen e veprimeve dhe të ofrosh mbështetje e vërtetë dhe ndihmë për viktimat e dhunës. Sigurisht, edhe komuniteti është fajtor për normalizimin e dhunës dhe fajësimin e grave, në bazë të stereotipeve dhe paragjykimeve, gjë që e ndërlikon edhe më tej procesin e raportimit”, konsideron Stevkovska.
Dezinformatat mbi gjininë bëjnë dëm të madh
Paralelisht me dobësitë institucionale, hapësira publike po mbushet gjithnjë e më shumë me dezinformata gjinore që e relativizojnë dhunën, shkaktojnë polarizim gjithnjë e më të madh midis burrave dhe grave dhe e shtrembërojnë nocionin e barazisë gjinore.
Kohët e fundit, Shoqata për Avancimin e Praktikave Gazetare “Mediat Inovative” dhe Instituti për Diversitetin Mediatik – Ballkani Perëndimor publikuan një analizë të titulluar “Hartëzimi i dezinformatave të regjistruara gjinore në Ballkanin Perëndimor”, autore e të cilit është Despina Kovaçevska, eksperte për monitorimin e mediave në Fondacionin “Metamorfozis”. Përhapja e dezinformatave në lidhje me gjininë kontribuon në problemin më të gjerë të keqinformimit, duke e shtrembëruar kuptimin shoqëror të barazisë gjinore dhe duke përforcuar stereotipet e dëmshme.
“Në vitet 2021 dhe 2022, veçanërisht gjatë pandemisë, fushatat e dezinformimit i vunë në shënjestër kryesisht gratë shtatzëna, duke përhapur pretendime të rreme se vaksinat kundër KOVID-19 do të shkaktojnë dëme serioze tek fëmijët e tyre të palindur. Këto dezinformata ka nxitur frikë dhe pasiguri, duke i minuar përpjekjet për shëndet publik që synojnë mbrojtjen e nënave dhe të foshnjave. Pas pandemisë, dezinformatat u zhvendosën tek narrativet kundër vaksinave, me pretendime se vaksinat shkaktojnë infertilitet tek gratë. Në vitet 2023 dhe 2024, numri i rasteve të dezinformimit u dyfishua, me një ndryshim të dukshëm në narrativin që synonte diskreditimin e grave në politikë. Ky trend është bërë më i theksuar për shkak të sulmeve në rritje ndaj politikaneve femra, të cilat shpesh përqendrohen në gjininë e tyre dhe i përsërisin stereotipet e dëmshme për të minuar besueshmërinë dhe lidershipin e tyre”, thuhet në analizë.
Në bazë të një ankete të udhëhequr nga OSBE-ja mbi dhunën ndaj grave, të kryer disa vite më parë, të dhënat vunë në dukje një mjedis kompleks ku normat patriarkale mbeten të forta, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e popullsisë e sheh dhunën në familje si çështje private familjare, gjë që krijon pengesa për viktimat që kërkojnë ndihmë. Kështu, për sa i përket perceptimit të dhunës, 60 për qind e grave në Maqedoni konsiderojnë se dhuna ndaj grave është dukuri “shumë” ose “mjaft” e shpeshtë në vend. Sipas rezultateve të anketës, vetëm brenda një viti, 13 për qind e grave të moshës 18 deri në 74 vjeç kanë përjetuar dhunë fizike, seksuale ose psikologjike nga ana e partnerit aktual ose të mëparshëm.
Raporti identifikon barriera specifike në Maqedoni që i pengojnë gratë të largohen nga situatat e dhunshme ose t’i raportojnë ato. Gratë shprehën mosbesim të thellë ndaj shërbimeve sociale dhe policisë për shkak të frikës se informacioni i tyre privat do të zbulohej në komunitet. Një pjesëmarrëse deklaroi: “Shkoni te shërbimet sociale dhe nëpunësit atje do të bëjnë thashetheme për ty, i gjithë qyteti do të kuptojë për ty… ai miku do t’i tregojë burrit tënd dhe ai do të vijë e do të të rrahë përsëri”.
Patriarkati si traditë
Nëse i shihni pjesëmarrësit në marshimet e 8 Marsit ndër vite, siç theksojnë organizatorët, prania e grave është dukshëm më e madhe se ajo e burrave. Dhe kjo, sipas tyre, nuk është pa arsye. Më shpesh, përgjigjja e përgjithshme kundër këtyre marshimeve është se “ato i kanë të gjitha të drejtat si ne (burrat), pse duhet të protestojnë” ose se “fitimi” i të drejtave të grave do të thotë heqja e disa të drejtave nga burrat.
Patriarkati, si sistem shoqëror, u jep privilegje të caktuara burrave si grup, ndërkohë që njëkohësisht zbaton dhe përcakton norma të ngurta gjinore rreth asaj se si duhet të duket mashkullorësia.
“Dhe është e rëndësishme të theksohet se nuk duhet të jetë problem të pranohet se burrat gëzojnë privilegje të caktuara, por kjo nuk do të thotë se ato nuk përballen me ndonjë vështirësi me të cilën ne si shoqëri duhet të merremi. Por, është pikërisht lufta feministe, të cilën nuk duhet ta përqendrojmë vetëm në një datë si 8 Marsi, që synon jo vetëm gjetjen e zgjidhjeve individuale, por kapërcimin e problemeve të të gjithë shoqërisë, duke i përfshirë edhe burrat. Përmes marshimeve të tilla, qëllimi është të refuzohen sistemet e dominimit përmes gjinisë, klasës, seksualitetit, aftësisë së kufizuar dhe identiteteve të tjera të margjinalizuara. Dhe pikërisht për shkak se patriarkati mbahet i “gjallë” përmes strukturave shoqërore dhe sjelljeve të përditshme në të cilat burrat shpesh kanë pushtet më të madh, burrat kanë jo vetëm aftësinë, por edhe përgjegjësinë për t’iu kundërvënë këtyre sistemeve. Pjesëmarrja e tyre sinjalizon se barazia gjinore nuk është një çështje e grave, por një çështje shoqërore dhe kolektive”, thonë aktivistet.
Sipas tyre, prania e burrave në ngjarje të tilla duhet t’i sfidojë burrat e tjerë që janë agnostikë ose ndoshta haptazi armiqësorë ndaj lëvizjeve feministe, nëse asgjë tjetër, të paktën për arsye personale, që të kuptojnë se edhe ata do të përfitojnë nëse i bashkohen luftës.
“Duke iu kundërvënë patriarkatit, burrat i sfidojnë edhe mënyrat e dëmshme të sjelljes që u imponohen atyre dhe ndihmojnë në atë që sjelljet e tilla agresive të dënohen, në vend që të heshten ose, më keq akoma, të mbështeten dhe mbrohen” – theksojnë ato, duke shtuar se bashkimi me lëvizjen feministe nuk është një akt bamirësie ndaj grave, por një angazhim për çlirim kolektiv.
Pjesë e historisë së luftës për të drejtat e grave, Finlanda lidere në Evropë

Dita Ndërkombëtare e Gruas filloi të festohej ose të shënohej në pjesën më të madhe të botës më 8 Mars që nga viti 1975 kur Kombet e Bashkuara atë ditë e shënuan vitin si Vit Ndërkombëtar kushtuar Gruas. Dy vjet më vonë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë duke e shpallur 8 Marsin si Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Grave dhe Paqen Ndërkombëtare. Baza për këtë në kuadër të OKB-së fillon me formimin e Komisionit për Statusin e Grave në vitin 1946., dhe për herë të parë në historinë e njerëzimit, gratë janë të barabarta me burrat në të gjitha të drejtat themelore të njeriu në Deklaratën Universale e të Drejtave të Njeriut të miratuar nga OKB-ja në vitin 1948.
Megjithatë, historia e luftës së grave për barazi me burrat është shumë më e vjetër dhe është e lidhur me Revolucionin Francez dhe postulatet e tij, me lëvizjet socialiste që u shfaqën në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të në Amerikë dhe Evropë, duke kërkuar barazi në të drejtat e punëtorëve, të drejtën e votës e të ngjashme. Këtu janë edhe gratë më të famshme që shënuan historinë e hershme të luftës për të drejtat e grave, Theresa Malkiel (SHBA), Roza Luksemburg, Klara Cetkin dhe shumë të tjera.
Megjithatë, vendi i parë evropian që ua dha grave të drejtën e votës ishte Duka i Madh i Finlandës në vitin 1906, dhe tashmë në vitin 1907 kishte 17 gra në parlamentin finlandez. Gjermania e lejoi këtë në vitin 1928, por disa vende të tjera evropiane e bënë këtë shumë më vonë gjatë shekullit të 20-të. Si anëtare themeluese e Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë dhe anëtare e OKB-së, Maqedonia e kohës së KAÇKM-së, e barazoi të drejtën e votës dhe të gjitha të drejtat e tjera të grave menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.



