Nuk na duhen protokolle të arnuara, vullnetarisht do t’i mbyllim objektet për dy javë, reagoi sot Oda e Pavarur e Hotelerisë pas miratimit të mbrëmshëm të masave më të reja nga ana e Qeverisë.
OPH konsideron se kufizimet e reja nuk do ta zgjidhin numrin e rritur të të sëmurëve, por do t’i nxisin të rinjtë dhe mysafirët e objekteve hotelierike që të kërkojnë zgjidhje alternative të shoqërimit dhe ahengjeve si janë tubimet grupore dhe masive në ahengje private, nëpër parqe, parkingje dhe automjete pa kurrfarë kontrolli dhe kurrfarë mekanizmi për mbrojtje dhe parandalim të shëndetit personal dhe publik.
“Nuk na duhen protokolle të arnuara, vullnetarisht do t’i mbyllim objektet për dy javë. Por, çka nëse numrat e KOVID edhe më tutje rriten? A do të kenë Filipçe dhe Karaxhovski trimëri dhe guxim t’iu kërkojnë falje hotelierëve, ta kompensojnë dëmin dhe publikisht të pranojnë se objektet hotelierike nuk janë shkak për infeksion por arsyetim për shmangien e përgjegjësisë për masat e gabuara dhe rekomandimet e përgjithshme për parandalimin e përhapjes së virusit korona”, theksoi kryetari i Odës, Zdrafko Josifovski në shkresën dërguar mediave.
Sipas tij, përsëri, pa kurrfarë debati ose konsultimi me hotelierët, artistët e estradës ose odat dhe shoqatat, mjeku Karaxhovski, duke e keqpërdorur Komisionin për Sëmundje Ngjitëse, duke vendisur vetë, vetëm për shkak të dhjetëra hotelierëve dhe objekteve hotelierike të papërgjegjshme, vendosi të dënojë 6.500 hotelierë me 35.000 të punësuar.
Josifovski paralajmëron edhe se ndryshimet e reja në protokolle do t’i nxisin artistët më të dëmtuar të estradës dhe hotelierët të nisin bashkërisht të veprojnë për të drejtat dhe liritë e tyre të punës, që do të shkaktojë padëgjueshmëri të vazhdueshme qytetare me të cilat do të rrënohen të gjitha urat e ndërtuara të komunikimit dhe mundësia për tejkalimin dhe zgjidhjen e problemeve në rrugë diskutimi dhe debati.