Pothuajse 7000 punëtorë të huaj punojnë aktualisht në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Brendshme, që nga 30 shtatori, numri i përgjithshëm i shtetasve të huaj që kanë marrë leje qëndrimi në vend, në bazë të punësimit, është 6,766. Sektori i turizmit është një nga ato që është përballur me mungesën më të madhe të fuqisë punëtore në vitet e fundit, prandaj janë të detyruar të sjellin punëtorë nga vendet e treta. Megjithatë kjo ka rezultuar e pamjaftueshme, sepse shumë prej tyre e përdorin vendin vetëm si transit, drejt ndonjë vendi më të paguar në Evropë.
“Ne e filluam këtë vit me punëtorë nga Nepali, për herë të parë këtë sezon. Jemi përpjekur në vitet e kaluara të luftojmë me atë mungesë të stafit, për fat të keq largimi i stafit vazhdon. Destinacionet e tjera kanë paga më të larta, megjithëse këtë vit ne si destinacion po luftojmë gjithashtu me rritjen dhe po rrisim pagat për të mbajtur punonjësit këtu. Nuk heqim dorë nga njerëzit tonë, vazhdojmë të punojmë me punonjësit vendor që besojmë se janë e ardhmja e gastronomisë këtu”, tha Ana Jançeva- menaxhere hoteli.
Shoqata e Gastronomisë thotë se problemi me mungesën e kuadrit është i ngjashëm kudo në rajon.
“Ky problem nuk buron nga Maqedonia e Veriut, por është kudo në Ballkan, përfshirë edhe vendet e tjera. Kjo është arsyeja pse vendet e tjera ofrojnë stimuj për të marrë njerëz nga vendet e tjera, që janë kryesisht nga Ballkani, dhe këtu lind ajo pikë kritike, ku nuk mund të kemi staf të kualifikuar në atë nivel, siç duhet të jetë. Ne po përballemi me këtë problem dhe të gjithë po punojmë për të dhe po bëjmë përpjekje të përbashkëta për ta rregulluar dhe përmirësuar atë”, tha Kërste Bllazheski- kryetar i HOTAM-it.
Vetëm këtë verë, më shumë se 15,000 qytetarë të Maqedonisë së Veriut kanë punuar në bregdetin kroat, për shkak të kushteve më të mira të punës dhe jetesës, por edhe pagave më të larta, të cilat janë deri në tre herë më të larta se ato në vend. Ndërkohë, gastronomët nga Struga dhe Ohri kërkojnë punëtorë për të punuar në objektet e tyre, ku gjithnjë e më shumë punon kuadër i pakualifikuar, nxënës të shkollave të mesme dhe pensionistë. Kërkojnë nga odat ekonomike rritje të kuotës për punëtorët nga jashtë në 20,000, thjeshtim të procedurave për marrjen e lejeve të punës, duke ndjekur shembullin e Shqipërisë, ku kjo bëhet në mënyrë elektronike./Alsat.mk






