63-vjeçari vret vëllain dhe veten në Tiranë

Dyshohet se shkak është bërë një konflikt për pronat

“Vehap Cami, 63 vjeç u ngrit herët këtë të enjte për t’i bërë një vizitë jo të zakonshme të vëllait të tij, Lulzim Cami. Prej kohësh dyshohet se ata kishin pasur konflikte për pronat në Dibër, por këtë mëngjes, gjithçka dukej një vizitë për fundvit, deri në momentin kur dy vëllezërit mbetën vetëm në dhomë. Vehapi qëlloi me armë zjarri ndaj vëllait Lulzim Cami dhe menjëherë më pas edhe ndaj vetes”, raporton gazetarja Bleona Metushi.

Gjithçka duket se ndodhi në 30 minuta. 63-vjeçari shkoi në banesën e të vëllait të tij 5 vite më të madh rreth orës 7:15 të mëngjesit, teksa salla operative është njoftuar për ngjarjen në rrugën ‘Xhon Belushi’ në zonën e Freskut në orën 7:40.

Të dy humbën jetën në vendin e ngjarjes, në katin e parë të banesës private që Lulzim Cami kishte marrë me qira, teksa të afërmit e tij ndodheshin në katin e dytë të saj.

Zhurma e të shtënave alarmuan familjen dhe të bërtiturat e këtyre të fundit, komshinjtë, siç tregon edhe zonja që kishte lëshuar banesën me qira.

Dëshmitë e marra nga hetuesit tregojnë se konflikti lidhet me pronat në Dibër prej edhe nga ishin me origjinë, megjithëse motivi ende nuk është përcaktuar përfundimisht.

Ata kishin jetuar gjithë jetën bashkë në një banesë në lagjen ‘5 Maji’ në Tiranë dhe pas prishjes së saj, kishin marrë banesa me qira në zona të ndryshme.

Hetimet e deritanishme tregojnë se hatërmbejtjet mes njëri-tjetrit duket se kanë nisur pas verës së këtij viti dhe kulmuan këtë të enjte, pasi të dy konsumuan kafenë e mëngjesit.

Tv Klan