51 të prekur nga koronavirusi në Shqipëri, 23 në Kosovò

Shkon në 51 numri i të infektuarve me COVID 19 në Shqipëri. 9 nga personat e testuar në 24 orët e fundit rezultuan pozitiv në testin e pandemisë.

Nga rastet e konfirmuara pozitiv në Durrës janë 5 raste, në Tiranë 34 raste, në Lushnjë 2 raste, në Elbasan 2 raste, në Fier 6 raste dhe në Rrogozhinë 2 raste. Prej tyre 20 janë të shtruar në Spitalin infektiv nga Tirana, Durrësi, Fieri dhe Rogozhina. Në terapi intensive janë tre qytetarë, prej të cilëve 1 është në respiracion të drejtuar- deklaroi Mira Rakacolli, Zv/ministre e Shëndetësisë e Shqipërisë.

Ndonëse akoma nuk ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, Shqipëria po zbaton masa të rrepta për parandalim të përhapjes së Koronavirusit. Pas mbylljes së përkohshme të kufijve me shtetet fqinje, nga dita e sotme ndalohet ecja në këmbë pas orës 18:00 dhe hyjnë në fuqi gjoba për këmbësorët dhe ata që ulen në parqe apo ambiente të tjera të hapura në gjithë territorin e Shqipërisë. Ndërkohë numri i të infektuarve në Kosovë rritet në 13, pasi gjatë orëve të fundit u shënuan edhe 4 raste të reja.

Mbrëmë vonë, bazuar në rezultatet e testimeve u konfirmuan edhe katër raste të reja pozitive me COVID-19. Të katër rastet janë nga fshati Stubëll e Vitisë, familjarë të ngushtë të pacientit të diagnostikuar pozitiv me COVID-19, me datë 13.03.2020. E gjithë familja kanë qenë në vetë-izolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë- deklaroi VIZRT- Arben Vitia, Ministër i Shëndetësisë së Kosovës

Krahas masave të tjera për parandalim të përhapjes së virusit, si mbyllja e kufijve me shumë shtete të botës ose mbyllja e lokaleve, autoritetet në Kosovë thonë se kanë ndërmarrë edhe masat përkatëse ndaj 30 bizneseve për rritjen e çmimeve. Së fundmi Evropa është shndërruar në epiqendër të pandemisë. Në 24 orët e fundit, rritje më të madhe të numrit të të prekurve është regjistruar në: Spanjë, mbi 1 200 dhe 15 vdekje të reja, në Gjermani rreth 800 raste të reja. Edhe situata në Francë po bëhet gjithnjë e më shqetësuese. Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Jérôme Salomon, numri i të prekurve dyfishohet çdo tre ditë. Franca ka raportuar mbi 5 400 raste dhe mbi 120 vdekje. Ka paralajmëruar masa edhe më rigoroze, ndërsa tashmë ka mbyllur të gjitha lokalet e shkollat. Italia gjatë fundjavës shënoi numrin më të madh të vdekjeve ditore që nga fillimi i krizës, 368 vdekje vetëm për një ditë. Raste të reja janë shënuar edhe në SHBA, Norvegji, Belgjikë, Austri por situata më dramatike momentalisht është në Iran me 129 vdekje ditore dhe mbi 1 000 raste të reja. Në nivel global, mbi 174 500 persona janë infektuar nga COVID 19, prej të cilëve mbi 77,800 janë shëruar ndërsa mbi 6,600 kanë vdekur.