500 mijë euro tender për mirëmbajtjen e shatërvaneve në Shkup

Një tender për mirëmbajtjen e shatërvaneve në Shkup është 500.000 euro, ndërsa buxheti për viktimat e dhunës është një 20.000 euro mizerabël, reagoi deputetja e “Levicës”, Jovana Mojsoska.

Në seancën e Komisionit të Përhershëm Anketues për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit, deputetja e Levicës iu referua raportit vjetor të punës së Komisionit për Kompensim me Para për Viktimat e Veprave Penale me Dhunë për vitin 2024, i cili në vend që të tregojë një sistem funksional mbrojtjeje, zbulon një kolaps të plotë institucional.

“Edhe pse qëllimi i këtij Komisioni është që shteti t’u sigurojë mbështetje viktimave, raporti tregon se gjatë gjithë vitit 2024 nuk është paguar asnjë denar dëmshpërblim. Ajo që tregon raporti për vitin 2024 është se nuk është paguar asnjë kompensim monetar për viktimat e veprave penale me dhunë, me çka mund të konstatohet se padyshim te ne viktimat janë lënë të gjenden vetë për shkak të mosinteresimit të autoriteteve,” porositi deputetja.

Ndërsa numërojmë statistikat e zeza të viktimave të dhunës, shton Mojsoska, Komisioni për Kompensim me Para për Viktimat e Dhunës (pranë Ministrisë së Drejtësisë) disponon me një buxhet mizerabël prej vetëm 20.000 eurosh.

“Për krahasim, tenderi për mirëmbajtjen e shatërvaneve në Shkup është 500.000 euro, ose e thënë ndryshe, ky shtet kujdeset më shumë për shatërvanet sesa për viktimat e dhunës,” theksoi Mojsoska. (INA)