Thuajse 500 kilogramë kokainë, me vlerë 20 milionë euro, u sekuestruan në fundjavë në qytetin Ulm në Gjermani, ndërsa Policia arrestoi pesë shqiptarë dhe një rumun.
Lënda narkotike ishte fshehur në kuti me banane, dhe u zbulua fillimisht nga një punonjës i kompanisë “Fruchthof Nagel”, i cili po kryente kontroll të rastësishëm për të analizuar cilësinë e mallit të porositur.
Mediat gjermane bëjnë të ditur se pasi u njoftua, policia nisi hetimet dhe zbuloi se në adresë të kompanisë në fjalë kishin ardhur dy kamionë me banane. Pas kontrollit të imtësishëm u arrit të gjendej e gjithë kokaina, thuajse 500 kg.
Për të kapur edhe pronarët e vërtetë të drogës, lajmi u mbajt i fshehtë të premten dhe kokaina u la brenda pakove me banane. Gjatë mbrëmjes së të shtunës disa persona u përpoqën të futeshin në magazinën e kompanisë, por u arrestuan në flagrancë nga forcat speciale të Policisë shtetërore të landit të Bavarisë. 6 të arrestuarit janë të moshës 24 deri në 39 vjeç. Pesë prej tyre janë shtetas shqiptarë, ndërsa njëri rumun.
Mediat gjermane raportojnë se nga hetimet paraprake dyshohet se të gjashtë kanë udhëtuar në Gjermani nga shtetet e tyre enkas për të marrë sasinë e lëndës narkotike dhe do të largoheshin përsëri pasi ta kishin marrë atë. Të gjashtë të arrestuarit, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik, dolën para Gjykatës të hënën dhe morën masën e sigurisë, duke u lënë në burg./a2