5 vite premtime për pishinë në Çair

Janë bërë 5 vite nga premtimi për pishinë në Çair. Një të tillë kryetari i kësaj Komuna Visar Ganiu e premtoi që në zgjedhjet e vitit 2017, por punimet ende nuk kanë nisur.

–Kaluan 5 vite nga premtimi i kryetarit të komunës se Çairit, Visar Ganiu, i cili tha që objekti i cili gjendet prapa nesh do të rikonstruktohet për pishinë, mirëpo kjo vazhdon të ngelet ende vetëm premtim, raporton Fazile Halili, gazetare e TV21.

Për të marrë vesh se çfarë po ndodh me planin, TV21 pyeti në Komunën e Çairit, zëdhënësi i së cilës Fari Hiseni, na tha se një grup i zyrtarëve kompetent kanë bërë analizë se si mund të zhvillohet projekti, por në bazë të këtij studimi del se komuna nuk është në pozitë të volitshme për ta realizuar projektin.

“Një grup i zyrtarëve kompetent për aspektin financiar dhe ekonomik kanë bërë një studim fizibiliteti për të njëjtin rast, domethënë për të njëjtën ide dhe projekt dhe këtu kanë hasur se ka një problem pronësor juridik dhe në këtë rast e lë komunën në pozitë të vështirë për realizimin sa më shpejt të mundshëm të këtij projekti. Mirëpo paralelisht si proces është udhëhequr dhe është dhënë leje nga ana e komunës, për ndërtimin e një pishine për fëmijë në kuadër të shkollës “Ismail Qemali” në Fushë Tophanë, ku edhe janë siguruar mjete ku investues i asaj pishine për fëmijë do jetë “Agjencia për Rini dhe Sport”, deklaroi Fari Hiseni, zëdhënës i komunës së Çairit.

Hiseni thotë se pishina e premtuar mund të nisë të bëhet që në momentin kur do të gjendej gjuhë e përbashkët mes komunës dhe pronarit të objektit.