Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s vendosi t’i japë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut një afat shtesë pesëvjeçar për të zbatuar masat e kërkuara për mbrojtjen e Rajonit Natyror dhe Kulturor të Ohrit, duke shmangur për momentin përfshirjen e tij në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Organizata thekson se degradimi i vlerave të jashtëzakonshme universale të zonës nuk është ndalur.
Vendimi u mor nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s gjatë sesionit të tij të 48-të, pas shqyrtimit të raportit mbi gjendjen e ruajtjes së Rajonit Natyror dhe Kulturor të Ohrit.
Inxhinieri dhe ambientalisti Arian Merolli e cilëson të gabuar entuziazmin e shfaqur nga zëvendëskryeministri gjatë mbledhjes online të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, pas vendimit për të mos e futur Rajonin e Ohrit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.
“Zëvendëskryeministri ishte shumë i gëzuar që Rajoni i Ohrit nuk u fut në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Mua kjo më habiti, sepse do të ishte më mirë të ishte futur në atë listë. Kjo do të rriste presionin e UNESCO-s dhe të institucioneve ndërkombëtare mbi qeverinë për të marrë masa konkrete për mbrojtjen e rajonit”, thotë Merolli.
Sipas tij, afati pesëvjeçar i dhënë nga UNESCO rrezikon të mos sjellë rezultat nëse mungon vullneti politik.
“Pas pesë vitesh kjo qeveri mund të mos jetë më në pushtet dhe mund të thotë: ‘Punë e madhe, nuk jemi më ne’. Prandaj nuk i shqetëson fakti që u dha një afat pesëvjeçar. Shqetësimi im është nëse ata e dinë çfarë duhet të bëjnë gjatë këtyre pesë viteve. Unë besoj se nuk e dinë”, vijon ai.
Sipas inxhinierit Arian Merolli, strategjia e hartuar me kërkesë të UNESCO-s për menaxhimin dhe rivitalizimin e Liqenit të Ohrit duhet të shoqërohet me një plan të detajuar zbatimi, me afate dhe buxhete të përcaktuara. Ai thekson se Maqedonia e Veriut e ka avancuar këtë proces duke e kaluar strategjinë në mbledhjen e qeverisë dhe duke krijuar një grup ndërinstitucional për zbatimin e saj, ndërsa Shqipëria mbetet pas në këtë drejtim.





