4 të miturat që rrahën dhe filmuan 13-vjeçaren dërgohen në shtëpi edukative-korrektuese

Gjykata Themelore Penale në Shkup ka shqiptuar masa edukative për katër të miturat e përfshira në rastin e dhunës brutale ndaj një vajze 13-vjeçare në komunën e Gjorçe Petrovit.
Sipas vendimit, e mitura e akuzuar e para është dërguar në shtëpi edukative-korrektuese për një vit, ndërsa tri të tjerat për nga tetë muaj.
Rasti kishte tronditur opinionin publik pasi katër vajzat kishin ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës në dy raste të ndara. Gjatë sulmit, disa nga të pranishmit e kishin filmuar ngjarjen me telefona mobilë.
Pamjet e publikuara nga mediat tregonin se 13-vjeçarja ishte goditur me shqelma dhe grushte, ishte tërhequr për flokësh dhe kishte përfunduar e gjakosur në fytyrë.
Për këtë rast, Prokuroria kishte nisur procedurë ndaj katër të miturave për veprën penale „dhunë“. Ndërkohë, ishin ngritur edhe gjashtë kallëzime penale ndaj prindërve të tyre, nën dyshimin për neglizhencë dhe keqtrajtim të fëmijëve.
Vendimi gjyqësor ende nuk është i formës së prerë./skopje1.mk