Këtë vit, 4 gra janë vrarë nga ish-ose partnerët e tyre aktualë. Në periudhën nga 2014 deri në 2024, gjithsej 115 gra janë viktima të femicidit, pra vrasjeve dhe tentativave për vrasje. Shteti duhet të angazhohet jo vetëm deklarativisht, por realisht për parandalimin dhe ri-integrimin e grave, viktima të dhunës së bazuar në gjini – thonë nga Rrjeti Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare.
“Këtë vit ndodhën 4 femicide, sepse të gjithë autorët ishin partnerë, aktualë ose ish-partnerë të grave të vrara. Në periudhën paraprake nga 2014 deri në 2024, kemi gjithsej 115 vrasje, por këtu përfshihen edhe tentativat për vrasje të grave. Ajo që po bëjmë tani është të analizojmë rastet gjyqësore të përfunduara me vendime të formës së prerë për të parë sa nga këto 115 vrasje dhe tentativa janë femicide”, tha Elena Dimushevska, Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare.
Ata thonë se ri-integrimi është më i rëndësishmi. Megjithatë, edhe pse ligji ka hyrë në fuqi në maj 2021 dhe ri-integrimi është parashikuar në të gjitha shtyllat, shteti nuk është i përkushtuar në këtë çështje. Pasi nuk ka ndihmë nga shteti për ri-integrimin e viktimave, shumë prej tyre kthehen sërish tek partneri. Eksperiencat e tyre tregojnë se shtëpia nuk është vendi më i sigurt për gratë viktima të dhunës, madje 70 për qind e vrasjeve ndodhin aty.
“Dhunën ndaj grave nuk mund ta parandalojmë nëse nuk parashikojmë fonde financiare për shërbimet që u nevojiten më së shumti viktimave. Ajo që ekziston tani është një ndihmë vetëm një herë monetare, do të theksoj vetëm një herë, në shumën prej 15.000 denarësh. Dhe ajo nuk varet nga të ardhurat ose gjendja financiare e viktimës. Por kjo është e vetmja gjë që viktimat mund të marrin në këtë moment si ndihmë nga shteti”, u shpreh Elena Dimushevska, Rrjeti kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës familjare.
Rrjeti ofron ndihmë financiare për viktimat, përfshirë qiranë e banesës, mbulimin e shpenzimeve të ujit, rrymës dhe blerjen e ushqimit, por thonë se buxhetet e tyre janë të kufizuara dhe nuk mund të mbulojnë shpenzimet për të gjitha gratë dhe në një afat më të gjatë. Llogaritjet e tyre tregojnë se për një grua janë të nevojshme të paktën 25.000 deri në 30.000 denarë në muaj.






