Në Shqipëri vazhdojnë përballjet me flakët që tash e disa ditë kanë përfshirë disa rajone.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 35 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 3 janë nën kontroll.
Sipas njoftimit, për shuarjen e flakëve janë angazhuar 382 forca operacionale dhe 40 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur operacionet me 90 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në njoftim thuhet se në zonën e Pukës, një familje është evakuuar, si pasojë e zjarrit që ka paraqitur rrezik për shtëpinë.
“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.”, thuhet në njoftim. /Klankosova.tv



