31-vjetori i pavarësisë së Ukrainës/ Zelensky: Do ta fitojmë luftën, s’ka marrëveshje me terroristët

31-vjetori i pavarësisë në Ukrainë shënon edhe 6 muaj nga pushtimi rus i vendit. Por edhe pse këtë vit festimet janë prekur nga shtetrrethime dhe paralajmërime për sulme ruse, presidenti Volodymyr Zelensky i ka përcjellë një mesazh të fuqishëm kombit të tij.

“Kemi 6 muaj që rezistojmë. Është e vështirë, por ne shtrënguam grushtet dhe luftuam për fatin tonë. Çdo ditë e re është një arsye për të mos u dorëzuar sepse, pasi kemi kaluar kaq shumë, nuk mund t’ia lejojmë vetes. Dhe çfarë është fundi i luftës për ne? Dikur thoshim ‘paqe’, por tani themi ‘fitore’. Nuk do të kërkojmë marrëveshje me terroristët”, u shpreh presidenti Zelenski.

Pavarësisht se këtë ditë historike u zgjuan me tingujt e sirenave të alarmit, banorët e Kievit sfiduan rrezikun pas 6 muaj luftë.

“Të jesh i pavarur do të thotë të jesh i lirë të mendosh dhe të flasësh në kohë lufte. Kjo është Ukraina”, u shpreh një banor.

Në këtë ditë feste, mesazhet mbështetëse nga Perëndimi kanë përmbytur vendin. Shtetet e Bashkuara pritet të njoftojnë një paketë të re asistence me vlerë 3 mld euro.